Itali/ Operacion masiv kundër kriminalitetit: 644 të arrestuar, mes tyre 69 të mitur, sekuestrohen drogë dhe armë

Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit në Itali, në kuadër të luftës kundër kriminalitetit të të rinjve, ka çuar në arrestimin e 644 personave brenda dy javësh, mes tyre 69 të mitur.
Operacioni u koordinua nga strukturat e ndryshme policore në të gjithë vendin dhe përfshiu 106 skuadra mobile, të cilat kontrolluan gjithsej 236.138 të rinj, përfshirë 23.060 të mitur. Kontrollet u përqendruan kryesisht në zonat e njohura për trafikimin e drogës dhe jetën e natës.
Sipas të dhënave zyrtare, 575 të rritur dhe 69 të mitur u arrestuan për vepra të ndryshme penale, që lidhen me krimet kundër personit, pronës, armëmbajtjen dhe narkotikët. Ndërkohë, 1.695 persona të tjerë, përfshirë 373 të mitur, u proceduan në gjendje të lirë.
Sekuestrohen rreth 70 kilogramë kokainë dhe 28 armë zjarri
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 69,4 kilogramë kokainë, 328,44 gramë heroinë dhe 174,8 kilogramë kanabis, si dhe sasi të tjera lëndësh narkotike, përfshirë ekstazi, ketaminë dhe amfetamina.
Në kuadër të kontrolleve dhe bastisjeve u sekuestruan gjithashtu 28 armë zjarri, 210 armë të ftohta dhe 25 objekte të tjera të rrezikshme. Policia gjeti edhe sende të dyshuara si të vjedhura, mes tyre bizhuteri ari, tableta, telefona celularë dhe veshje.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte sekuestrimi i 269.863 eurove cash, si dhe i pajisjeve shpërthyese dhe mjeteve që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve me thyerje.
Veprat penale të evidentuara përfshijnë tentativë vrasjeje, sulme fizike, përleshje, dëmtime të pronës, zhvatje, vjedhje, grabitje, trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas autoriteteve, një pjesë e këtyre veprimeve kriminale ishte dokumentuar dhe publikuar edhe në rrjetet sociale nga vetë autorët.
Meloni: Shteti është i pranishëm
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka përshëndetur rezultatet e operacionit, duke vlerësuar punën e forcave të rendit.
“Dua të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time për Policinë e Shtetit për operacionin e gjerë të zhvilluar në të gjithë vendin kundër kriminalitetit të të rinjve, i cili çoi në qindra arrestime, mijëra raportime dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të drogës dhe armëve”, u shpreh Meloni.
Ajo e cilësoi rezultatin si dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë, duke theksuar se objektivi është garantimi i sigurisë për qytetarët dhe rikthimi i ligjshmërisë në komunitete.
Operacioni konsiderohet një nga aksionet e rëndësishme të autoriteteve italiane në kuadër të luftës kundër kriminalitetit të të rinjve, veçanërisht përfshirjes së të miturve në veprimtari të paligjshme.




