Bota

Hakerat sulmojnë supermarketet në Suedi, temperatura e frigoriferëve rritet në 70 gradë, mijëra produkte rrezikojnë të prishen

Një sulm kibernetik ka goditur disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në Suedi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe ndërprerje të aktivitetit në disa pika shitjeje.

Sulmet ndodhën nga mbrëmja e së dielës, 1 nëntor, deri në mëngjesin e së hënës, 2 nëntor, duke prekur rrjetet e njohura. Sipas raportimeve të mediave lokale, hakerat kanë arritur të ndërhyjnë në distancë në sistemet e kontrollit të temperaturës së frigoriferëve dhe ngrirësve, ku ruheshin mijëra produkte ushqimore. Përmes këtij manipulimi, temperaturat janë ngritur deri në 70 gradë, duke rrezikuar sasi të mëdha mallrash.

Dëme të ngjashme janë raportuar edhe në Belgjikë dhe Luksemburg, ku sulme me të njëjtën mënyrë veprimi janë kryer pothuajse në të njëjtën kohë. Një skenar i ngjashëm ishte regjistruar më herët edhe në Francë.

Sipas mediave suedeze, dëmet financiare vlerësohen në qindra mijëra korona. Përveç sistemeve të ftohjes, raportohet se jashtë funksionit janë vënë edhe sistemet e arkave, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse kjo lidhet drejtpërdrejt me sulmin kibernetik.

Për shkak të situatës, kompania njoftoi mbylljen e përkohshme të disa pikave të shitjes. Përfaqësuesit e saj u kanë kërkuar ndjesë klientëve, duke bërë të ditur se po punohet për rikthimin e shërbimeve dhe normalizimin e aktivitetit.

Autoritetet dhe kompanitë e prekura po përballen me pasojat e sulmeve, ndërsa mbetet për t’u sqaruar shtrirja e plotë e ndërhyrjes dhe përgjegjësia për incidentet.