Haziri: Për rastin e Arlinda Zekajt, përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinetin qeveritar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke e cilësuar si jashtëzakonisht të dhimbshme situatën dhe zhvillimet pas këtij rasti.

Haziri ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet përgjegjësia institucionale, duke thënë se për dështimet e politikës po sakrifikohet Policia e Kosovës, e cila, sipas tij, ka kredibilitet dhe besueshmëri.

“Sa i përket zhvillimeve të brendshme, është jashtëzakonisht e dhimbshme ajo çka po ndodh. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, sikurse është edhe veprimi politik. Tre drejtorë të policisë po marrin përgjegjësi publike dhe morale me e shpëtu politikën. Për dështimet e politikës sakrifikohet institucioni, e cila është policia që ka kredibilitet dhe besueshmëri. Ata kanë bërë suspendime, prokuroria, por përgjegjësia tashmë ka mbetur në kabinet qeveritar. Akti i dorëheqjes është moral”, ka deklaruar Haziri.

Pas kësaj, Haziri është deklaruar edhe për takimin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku ishte i pranishëm ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, duke vënë në pah rëndësinë e Gjermanisë për Kosovën dhe procesin e integrimit evropian.

Ai ka thënë se Gjermania, për shkak të peshës politike dhe rolit që ka në Evropë, mbetet një nga shtetet më të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse nga pesha, rëndësia dhe roli i shtetit gjerman, është lokomotiva e Evropës sot, i integrimeve evropiane. Për LDK-në nuk është vetëm aspiratë, është mision integrimi në BE dhe NATO, Gjermania ka një rol kritik”, ka thënë Haziri.

Duke folur për Këshillin e Evropës, Haziri ka shprehur shqetësimin për mosplotësimin e tri kushteve nga ana e Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar si të dhimbshme mosmiratimin e raportit të Asamblesë Parlamentare nga Këshilli i Ministrave.

“Në anën tjetër, Këshilli i Evropës mbetet në tre kushte që Qeveria nuk i ka plotësuar ende dhe për herë të parë ka ndodhur që Këshilli i Ministrave nuk e miraton raportin e Asamblesë Parlamentare, kjo është e dhimbshme”, ka deklaruar Haziri./EO

Shija e redaktorit

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

Të fundit nga rubrika