
Shaban Brika, protestuesi që është kthyer në një nga figurat më të spikatura të protestës para Kryeministrisë për shkak të flamurit kombëtar që mban në duar, ka ngritur akuza ndaj Policisë për kërcënime me arrestim.
Në një prononcim për News24, Brika pretendoi se një drejtues policie e ka paralajmëruar 3-4 herë se do ta arrestojë, për shkak të mbajtjes së flamurit shqiptar gjatë protestës. Sipas tij, këto kërcënime nuk janë shoqëruar me asnjë argument apo shpjegim.
Protestuesi u shpreh se flamuri kuqezi ka një vlerë të veçantë emocionale për të, pasi i kishte munguar gjatë viteve të emigrimit. Ai tregoi se është kthyer nga Anglia posaçërisht për të marrë pjesë në protestë dhe për të valëvitur simbolin kombëtar.
Brika hodhi poshtë çdo pretendim se mund të paguhet për të mbajtur flamurin, duke theksuar se veprimi i tij lidhet vetëm me ndjenjat dhe lidhjen që ka me Shqipërinë. “Kam ardhur nga Anglia vetëm për këtë flamur”, u shpreh ai, ndërsa përsëriti pretendimin se është kërcënuar disa herë me arrestim nga efektivë të policisë.
