Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar lidhur me takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Erion Veliajn në burgun e Fierit, duke kërkuar sqarime publike për pretendimet se ministri i ka përcjellë kryebashkiakut të Tiranës një mesazh kërcënues në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për qytetarët, Këlliçi e cilësoi situatën si një përplasje mes klaneve brenda Partisë Socialiste, duke iu referuar shprehjes së Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.
Sipas tij, konflikti mes kryeministrit dhe Veliajt tregon luftën e brendshme për pushtet dhe dominim politik.
Duke iu referuar deklarimeve të avokatit Plarent Ndreca, Këlliçi tha se Gogu kishte shkuar në burgun e Fierit për t’i përcjellë Veliajt një ofertë të kryeministrit, e cila, sipas pretendimeve të publikuara, përfshinte kërkesën për të hequr dorë nga Bashkia e Tiranës, në të kundërt do të përballej me pasoja të tjera ligjore.
Këlliçi kujtoi gjithashtu përplasjet e mëparshme politike me Veliajn dhe protestat e Partisë Demokratike në Tiranë, duke pretenduar se këmbëngulja e demokratëve dhe qytetarëve ka kontribuar në situatën e tij aktuale ligjore.
Megjithatë, ai theksoi se kundërshtari politik duhet dalluar nga njeriu dhe të drejtat e tij themelore.
“Nëse denoncimi i Plarent Ndrecës qëndron, ne e dënojmë shantazhin mafioz të kryeministrit Rama dhe i kërkojmë publikisht Oltion Gogut, të japë sqarime shteruese për këtë çështje”, deklaroi Këlliçi.
Në vijim, deputeti i PD-së pretendoi se SPAK po përdoret nga kryeministri si instrument presioni ndaj kundërshtarëve politikë dhe personave brenda vetë Partisë Socialiste. Ai e lidhi këtë pretendim edhe me hetimet ndaj figurave të opozitës, përfshirë Sali Berishën, duke e cilësuar këtë situatë si “drejtësi me regji”.
Në përfundim të deklaratës, Këlliçi kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Pretendimet për mesazhin që Gogu dyshohet se i ka përcjellë Veliajt janë bërë publike fillimisht nga Hashtag.al, ndërsa ministri i Drejtësisë ka konfirmuar takimin, por ka mohuar kategorikisht se ka shqiptuar mesazhet që i atribuohen.
Fjala e Këlliçit:
Të nderuar qytetarë,
Shprehja e Ramës ‘hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ për grupet e ndryshme kriminale në vend, tashmë ka prekur vetë Organizatën mëmë kriminale, e ashtuquajtura “Rilindje”. Tanimë Rama e Veliaj po hanë kokat e njëri-tjetrit, në luftën e klaneve brenda ‘Rilindjes’ së kalbur, për pushtet dhe dominim politik.
Mediat kanë trajtuar sot gjerësisht deklaratën e të pandehurit Plarent Ndreca. Sipas këtij të fundit, të premtë në mesnatë, pastori Oltion Gogu, alias Toni Gogu, në rolin e zedhënësit të Kreut të Organizatës kriminale ‘Rilindja’, ka takuar në Burgun e Fierit kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D Erion Veliajn, ku i ka përcjellë një ofertë mafioze të kryeministrit, një lloj oferte që nuk mund të refuzohej, njëlloj si në rastin e filmit Kumbari.
Sipas Plarent Ndrecës, mesazhi ka qenë: “Hiq dorë nga bashkia ose do të të vë SPAK në shpinë dhe do të të kalb në burg!”. Ky ishte thelbi i një serie kërcënimesh të kreut të organizatës kriminale, për ish-bashkëpunëtorin e tij dhe kryebashkiakun e Tiranës, që e mori kryeqytetin me vota të vjedhura dhe para të krimit të organizuar.
Të dashur qytetarë,
Ju e dini historinë time dhe të demokratëve të Tiranës me Erion Veliajn. Ai mori një garë të manipuluar me vota të vjedhura dhe narkoeuro, por Partia Demokratike nuk iu nda për 44 javë me rradhë, me protesta të paprecedenta dhe disa padi në SPAK.
Sot ai është në qeli, edhe prej këmbënguljes sonë të përbashkët, të demokratëve dhe qytetarëve të Tiranës.
Megjithatë, duke ndarë kundërshtarin politik nga njeriu dhe të drejtat e tij themelore, nëse denoncimi i Plarent Ndrecës qëndron, ne e dënojmë shantazhin mafioz të kryeministrit Rama dhe i kërkojmë publikisht Oltion Gogut, të japë sqarime shteruese për këtë çështje.
Erion Veliaj duhet të përgjigjet përballë ligjit, dhe jo atyre që e përdorin ligjin për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, për të shkatërruar si kundërshtarët politikë, por edhe ata brenda partisë.
Kërcënimi i Ramës për Veliajn nuk lidhet vetem me këta 2 krerë të narkoshtetit, dhe as me shërbëtorin e tyre që hera herës aktron si pastor, Oltion Gogun, alias Toni Gogu.
Aty del qartë fytyra e vërtetë e Organizatës Partnere të PS, SPAK, të cilën Rama, siç del në bisedë, e përdor si qen sulmi, për ata që kërkon të heqë qafe brenda partisë.
Tani e keni fare të qartë se kur ua ndërsen kështu SPAK-un të vetëve, si e ka përdorur atë kundër Partisë Demokratike dhe personalisht Sali Berishës.
Kjo është drejtësia me regji të cilën ne kemi denoncuar prej vitesh.
Kjo është fytyra e vërtetë dhe e shëmtuar e narkoshtetit të parë në Europë, të themeluar nga Edi Rama.
Ka vetëm një rrugëdalje: dorëheqje të Ramës, qeveri kujdestare dhe zgjedhje të lira e të ndershme!
Ju faleminderit.
