Nga Ndriçim Kulla - 16:28, 02/11/2026
Është arsye në vete pse deklaratat e Edi Ramës për institucionet e drejtësisë meritojnë të shqyrtohen jo vetëm si pjesë e një polemike të zakonshme politike, por edhe si shprehje e një koncepti diktatorial që ai ka mbi pushtetin. Kur një kryeministër i drejtohet një institucioni që duhet të jetë i pavarur me gjuhën e sfidës dhe kur paralajmëron se çfarë mund të ndodhë nëse ai vendos të përballet me kundërshtarët e tij, apo kur e paraqet një konflikt institucional sikur të ishte një betejë personale, atëherë duhet qartësuar nëse kemi të bëjmë thjesht me mbrojtjen e një qëndrimi politik apo me një përpjekje për të përcaktuar paraprakisht kufijtë e veprimit të një pushteti tjetër.
Në shkurt të këtij viti, Rama reagoi ashpër ndaj Shoqatës së Gjyqtarëve për çështjen e pagave, duke kundërshtuar kërkesën e saj përmes një komunikimi publik të gjatë dhe konfrontues. Ai e paraqiti çështjen si një përpjekje të gjyqtarëve për t'i imponuar qeverisë dhe parlamentit rritjen e pagave përmes gjykatës, ndërsa vetë gjyqtarët kishin ngritur pretendime që duhej të shqyrtoheshin në rrugë kushtetuese. Kryeministri ka të drejtë të mbrojë qëndrimin e qeverisë në një konflikt gjyqësor, por ky argument tregon një shqetësim më të rëndësishëm: çfarë ndodh me ekuilibrin e pushteteve kur kreu i ekzekutivit e shndërron një mosmarrëveshje ligjore në një përballje publike me gjyqtarët që duhet të vendosin mbi të?
Në një demokraci, gjyqtarët nuk janë të pagabueshëm dhe as nuk mund të pretendojnë privilegje jashtë kontrollit të ligjit. Por pikërisht sepse ata nuk janë të pagabueshëm, ekzistojnë procedurat kushtetuese dhe mekanizmat e ankimit, jo fushatat e presionit politik. Një qeveri mund të kundërshtojë një kërkesë, të paraqesë argumentet e saj dhe të kërkojë zbatimin e ligjit, por nuk mund ta shndërrojë peshën e pushtetit ekzekutiv në një instrument që e bën më të vështirë ushtrimin e pavarur të funksionit gjyqësor, siç po ndodh me presionet e hapura të Ramës.
Në teatrin e Shekspirit, pushteti shpesh nuk e zbulon natyrën e vet në çastin kur fiton, por në çastin kur përballet me mundësinë se mund të humbasë kontrollin. Makbethi nuk trembet vetëm nga armiqtë që sheh përballë, por edhe nga ajo që nuk mund ta kontrollojë, nga e vërteta që kërcënon të dalë në dritë dhe nga gjykimi që nuk mund ta komandojë. Kjo është ajo dilema që duhet të shqyrtojë shoqëria shqiptare: a mundet një kryeministër të pranojë se një institucion i pavarur mund të marrë vendime të pakëndshme për qeverinë, pa e interpretuar këtë si një sulm ndaj vetë pushtetit të tij?
Problemi po bëhet edhe më i ndërlikuar kur kalojmë nga polemikat mbi pagat e gjyqtarëve te çështjet që lidhen me hetimin e zyrtarëve të lartë. Në rastin e Belinda Ballukut, kryeministri ka shprehur publikisht bindjen e tij se ajo është e pafajshme si gjykatës dhe hetues dhe ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të saj. Por pafajësia nuk është një status që mund ta shpallë politikisht një kryeministër dhe as fajësia nuk mund të vendoset nga një fushatë publike. Të dyja i përkasin një procesi ligjor që duhet të zhvillohet pa ndërhyrje.
Gjithashtu, nuk mund të harrohet fakti kur kryeministri shtroi me zemërim publikisht çështjen e telefonit të tij në një moment paniku, kur iu drejtua prokurorëve, se askush nuk duhej të guxonte për të marrë telefonin e tij si provë.
Një kryeministër mund të besojë në pafajësinë e bashkëpunëtores së tij ose të vetvetes, mund të kundërshtojë argumentet e prokurorisë dhe mund të përdorë çdo rrugë ligjore për të mbrojtur qëndrimin e vet. Por jo të përjashtojë veten nga mundësia e hetimit për akuzat mbi dosjet e nxehta për të cilat akuzohet publikisht. Dhe kur ky refuzim shndërrohet në një qëndrim politik që kërkon t'i paraprijë përfundimit të hetimit, siç është shndërruar, atëherë kemi një problem që shkon përtej fatit të një individi. Sepse në një shtet të së drejtës, asnjë zyrtar nuk mund të ketë një garanci politike se hetimi nuk do ta prekë, ashtu siç asnjë zyrtar nuk duhet të shpallet fajtor vetëm sepse është objekt i tij.
Këtu duhet bërë qartë një dallim që humbet në zhurmën e politikës: të kërkosh që një person të trajtohet si i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar është parim juridik; të kërkosh që ai person të mos hetohet, të mos ndiqet penalisht ose të mos përballet me procedurat e parashikuara nga ligji është diçka krejt tjetër, është koncepti diktatorial i kryeministrit. E para mbron qytetarin dhe shtetin e së drejtës. E dyta, nëse provohet se po ndodh përmes ndikimit politik, rrezikon të mbrojë pushtetin nga kontrolli që Kushtetuta ka parashikuar.
Kjo është arsyeja pse çështja Balluku ka marrë një domethënie që shkon përtej një dosjeje të vetme. Ajo është kthyer në një provë për rënien e institucioneve shqiptare për të vepruar kur hetimet prekin nivelet më të larta të qeverisjes dhe konkretisht kryeministrin. Kongresmenët amerikanë e kanë përfshirë shprehimisht mosveprimin e parlamentit ndaj kërkesës së SPAK-ut në pyetjet që i drejtojnë Marco Rubios. Ata nuk kanë dhënë një vendim gjyqësor për fajësinë e askujt; kanë kërkuar sqarime për funksionimin e institucioneve dhe për pengesat që mund të hasë drejtësia.
Për një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ky dallim nuk është formalitet. Është vetë thelbi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës. Shqipëria nuk mund të kërkojë të vlerësohet vetëm nga disa reforma që ka ndërmarrë dhe s'ka përfunduar asnjërën prej tyre, por duhet të pranojë të sqarojë shqetësimin e tërë opinionit publik se sa të afta janë ato reforma të qëndrojnë në këmbë kur përballen me interesat e pushtetit. Nuk mjafton të ndërtosh një institucion të pavarur; duhet të pranosh edhe pasojat e pavarësisë së tij.
© SYRI.net