
Pasi dekretoi 9 majin e vitit 2027 për zgjedhjet lokale, presidenti Bajram Begaj dha bekimin e tij për ndarjen e re territoriale të vendit, e cila u miratua pa opozitën në Kuvend. Kreu i shtetit e firmosi shkrirjen e 15 bashkive pa shumë zhurmë, duke mos e njoftuar publikisht dekretin, por thjesht duke e publikuar atë në kategorinë e dekreteve në faqen zyrtare. Paralelisht, socialistët kanë vijuar me projektin e tyre, duke ringritur Komisionin për Reformën Territoriale me shumicë anëtarësh, për të vijuar punën për kompetencat, financat dhe rajonizimin.
“Ne themi: bashkia ka këto 10 funksione. Për këto 10 funksione ka këto para që i gjeneron vetë nga taksat dhe tarifat, këto para që ia jep qeveria dhe këto para që i vijnë si mekanizëm ekualizimi, domethënë i vijnë një bashkie sepse është më e varfër ose ka më pak mundësi për të gjeneruar të ardhura vetë”, shpjegon Arbjan Mazniku. Shkrirja e 15 bashkive u bë nga socialistët me argumentin që njësi më të mëdha do të kenë mundësi të kryejnë më shumë funksione. Por sa e gatshme do të jetë qeveria të lëshojë pushtet për t’ua dorëzuar vendorëve?
“Në disa fusha bashkitë, dhe ky është besimi im personal, mund të kenë më shumë kompetenca, ndërsa në disa fusha duhet të kenë më pak kompetenca. Menaxhimi i digave duhet të bëhet në nivel të përqendruar. Nuk mund të bëhet nga bashkitë. Bashkitë duhet të kenë një rol më të madh në shëndetin parësor, në menaxhimin e ambulancave të lagjeve, ambulancave të fshatrave dhe qendrave shëndetësore të fshatrave”, tregon Mazniku për ”A2cnn”.
Ai nuk e mohon as mundësinë që Tirana të jetë një rajon më vete. “Tirana i ka të gjitha parametrat për të qenë një rajon më vete”. Të majtët preferojnë katër rajone, por si do të përzgjidhen drejtuesit e tyre: në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli apo me një formulë tjetër? “Unë mendoj që në një fazë të parë, prej katër deri në tetë vjetësh, rajonet duhet të jenë mekanizma përfaqësimi nga këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive të rajonit. Më pas mund të shohim opsionin e një zgjedhjeje të drejtpërdrejtë, por kjo në një fazë të mëtejshme. Disa funksione që bashkitë nuk i bëjnë dot, i agregojnë në nivel rajonal. Rajonet duhet të kenë potencialisht burimet e tyre financiare”.
