U arrestua pas 4 vitesh arrati/ Kush është Armando Ndreu, zbrazi karikatorin drejt biznesit në Shkodër pas sherrit me pronarin
Në hollin sallës plenare të parlamentit u zhvilluan homazhe për nder të ish deputetit diplomatit, politikanit, gazetarit dhe publicistit Bashkim Zeneli.
Miq, bashkëpunëtorë dhe politikanë të Bashkim Zenelit i dhanë lamtumirën e fundit, një prej të urtëve të PS, i ndarë nga jeta disa ditë më parë në një spital jashtë vendit.
Dy ish-ministrat socialist të punëve të jashtme Arta Dade dhe Paskal Milo vlerësuan maksimalisht figurën e ambasador Zenelit i cili përfaqësoi me dinjitet Shqipërinë në Gjermani dhe Greqi.
“Bashkim Zeneli ka bërë kontribute të spikatura si diplomat dhe në veçanti si ambasador në vende të rëndësishme për Shqipërinë siç është Gjermania dhe Greqia, por gjithashtu edhe si një politikan, si një personalitet i angazhuar në politikë”, u shpreh Dade.
“Ai e dashuronte profesionin e diplomatit, ishte i përgatitur për të kryer role të tilla të rëndësishme diplomatike dhe e dëshmoi në mënyrë të veçantë gjatë kohës së konfliktit në Kosovë”, u shpreh Milo.
Ish-kolegë të tij lartësuan gjithçka Bashkim Zeneli bëri për Partinë Socialiste, duke dhënë një kontribut thelbësor në reformimin e të majtës shqiptare.
“Këta ishin brezi që demokratizuan Partinë Socialiste ndërkohë punuan për demokratizimin e vendit dhe për futjen e ekonomisë së tregut. Ai ka kontribuar në shumë sektor”, tha Vali Leskaj.
“Roli i tij ka qenë besoj unë vendimtar në formatimin e politikës së jashtme të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ka patur rolin e sekretarit të marrëdhënieve me jashtë për një kohë të gjatë”, u shpreh Petro Koçi.
“Një shok i mirë, një prind i mirë. Pastaj do mbahet mend edhe për një politikan të mençur”, tha Namik Dokle.
Homazheve iu bashkuan nënkryetarja e kuvendit Evis Kushi dhe Taulant Balla kreu grupit kuvendo socialist.
“Bashkim Zeneli nuk ishte vetëm i Partisë Socialiste, sigurisht është një prej themeluesve, një prej atyre që ë dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në mes të viteve ’91-’97 lidhur me forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Partisë Socialiste”, u shpreh Balla.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Bashkim Zenelit ishte i pranishëm edhe ambasadori republikës federale të Gjermanisë në Tiranë Karl Bergner. E bija Valbona mes lotëve gjeti forcën të mbajte një fjalë në kujtim të jatit.
“Si diplomat ke shtruar ura, ke ndërtuar marrëdhënie, besim e partneritet. Ke mbështetur shqiptarët kudo ke shërbyer. E dera e shtëpisë tonë ka qenë e hapur për këdo në nevojë”, u shpreh Valbona Zeneli.
Nga Kuvendi Shqipërisë arkmorti ambasador Bashkim Zenelit iu drejtua varrezave të Sharrës por duke lënë pas shumë kontribute në shërbim të vendit.
Top Channel