4.27 miliardë euro, Qeveria e Kosovës miraton buxhetin e vitit 2027

2 Nëntor 2026 | 16:50

Qeveria e Kosovës këtë të hënë ka miratuar buxhetin prej 4.27 miliardë euro për vitin 2027. Siç bëhet e ditur, buxheti i vitit të ardhshëm është 300 milionë euro më shumë se buxheti bazë i këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e nëntë të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

Kurti ka thënë se krahas kësaj rritjeje, nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila është paraparë të realizohet në pjesën e parë të vitit 2027.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027.

Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa sipas tij, kjo shumë, e ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh.

“Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliardë e 85 milionë euro, e që kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës të publikut, paga mesatare vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj, gjë që nënkupton edhe përmbushjen e njërit nga premtimet tona për mandatin e radhës qysh në vitin e ardhshëm”, ka thënë Kurti.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se rritja e pagave nuk do të përfundojë me këtë ndryshim, por do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Nderkohë, buxheti pritet të votohet në Kuvend.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haxhiu kërkon dëshminë e zyrtarëve për rastin e Arlinda Zekajt

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që të gjithë zyrtarët që do të ftohen si dëshmitarë nga komisioni hetimor për rastin e...
12:33 | 02/11/2026

Tentoi të qëllojë më armë zjarri një person, arrestohet autori i dyshuar në Podujevë

Një person është arrestuar në Podujevë, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt një personi, por fatmirësisht pa e qëlluar. Sipas Policisë së...
10:31 | 02/11/2026

Komisioni hetimor parlamentar mblidhet sot për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë

Komisioni hetimor parlamentar, i përbërë nga përfaqësues të partive politike, do të mbajë sot mbledhje nga ora 11:30 në lidhje me hetimin e rrethanave të...
08:10 | 02/11/2026