
Tensionet dhe mungesa e një koordinimi të qartë kanë shoqëruar takimin e protestuesve të mbledhur sot në bulevardin para Kryeministrisë. Përballë sofrës së betonit të vendosur nga kryeministri Edi Rama si ftesë për dialog, një grup protestuesish kërkoi zhvillimin e një diskutimi të mbyllur, pa praninë e kamerave dhe mediave. Qëllimi i takimit ishte të qartësohej organizimi i protestave, veçanërisht përcaktimi i një orari zyrtar për tubimet gjatë ditëve të javës dhe në fundjavë. Mungesa e një kalendari të përbashkët duket se është kthyer në një nga problemet kryesore të lëvizjes.
Gjatë diskutimeve u shfaqën edhe përplasjet për identitetin e protestës. Mes pjesëmarrësve pati kundërshti për emërtimin e saj, nëse duhet të identifikohet si lëvizje studentore apo si pjesë e të ashtuquajturit “revolucioni flamingo”. “Lëvizja është e gjithë Shqipërisë, nuk ka rëndësi nëse janë apo jo studentë”, deklaroi një prej protestuesve, duke kërkuar që fokusi të jetë te organizimi dhe jo te ndarjet mes grupeve.
Por kjo deklaratë hasi në kundërshtime nga të rinjtë e pranishëm, të cilët reaguan duke thirrur “Flasin studentët”. Një tjetër pjesëmarrës kërkoi konkretizim të propozimeve, duke iu përgjigjur me fjalët: “Jep zgjidhje, jo fjalim”. Përplasjet vijuan edhe për identitetin e grupimeve në shesh. “Ne të sheshit jemi shqiponja, nuk jemi flamingo”, u shpreh një i ri, duke bërë dallimin mes studentëve protestues dhe grupeve që kanë qenë pjesë e protestave të njohura si “revolucioni flamingo”.
Një pjesë e pjesëmarrësve propozuan që vendimmarrja të zhvendoset në fakultete, ku studentët të diskutojnë drejtpërdrejt dhe të dalin me propozime konkrete. “Kjo është mbledhje studentësh, ç’punë kanë të tjerët”, ishte një tjetër reagim gjatë diskutimeve. Në takim ishte i pranishëm edhe ish-deputeti demokrat dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Aleksandër Biberaj, pedagog në Universitetin Politeknik. Ai sugjeroi zhvillimin e takimeve edhe me profesorët në fakultete, me synimin për krijimin e një përfaqësie.
Takimi u zhvillua me tone të tensionuara, ndërsa pjesëmarrësit ndërprisnin herë pas here njëri-tjetrin dhe ngrinin zërin në mbrojtje të qëndrimeve të tyre. Në ditën kur universitetet në vend i dhanë fund bojkotit disa ditor, diskutimi në bulevard nxori në pah sfidat që ka përpara lëvizja protestuese: mungesën e një koordinimi të unifikuar, debatet mbi përfaqësimin dhe vështirësinë për të dalë me një qëndrim të përbashkët.
