Një 36-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Operacioni u realizua në kuadër të aksionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin Armando Ndreu, lindur në Shkodër, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar në vitin 2022 masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Sipas hetimeve, në mars të vitit 2022, për motive të dobëta, 36-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të një subjekti në pronësi të shtetasit S. S., në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet spanjolle për të përfunduar procedurat e ekstradimit të tij në Shqipëri.
