Një grabitje e armatosur është regjistruar paraditen e së hënës në një bankë të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë. Autori, i maskuar dhe me veshje të zeza, dyshohet se ka marrë një shumë parash, vlera e së cilës ende nuk është përcaktuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:45. Sipas dinamikës së zbardhur nga kamerat e sigurisë, personi i maskuar hyri në ambientet e bankës dhe i drejtoi armën rojës private. Ky i fundit nuk bëri rezistencë dhe u tërhoq në hollin e bankës, duke i lënë autorit rrugën e lirë drejt arkës.
Grabitësi mbante në kokë një skafandër, doreza dhe një çantë krahu. Ende nuk është përcaktuar nëse arma që përdori ishte e vërtetë apo një imitim. Pas grabitjes, ai u largua nga vendngjarja me një skuter elektrik.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje dy dëshmitarët kryesorë të ngjarjes, arkëtaren dhe rojën private, ndërsa janë administruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda bankës.
Sipas burimeve për TCH, përdorimi i dorezave nga autori e ka vështirësuar gjetjen e gjurmëve papilare, të cilat mund të ndihmonin në identifikimin e tij. Megjithatë, hetuesit po analizojnë pamjet filmike dhe dëshmitë e mbledhura për të zbardhur identitetin e grabitësit.
Paralelisht, një tjetër grup hetimor po verifikon kamerat e sigurisë në rrugët përreth, me qëllim gjurmimin e itinerarit të largimit të autorit.
Policia ende nuk ka një informacion zyrtar mbi shumën e parave të grabitura, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.


