Punësimi i punëtorëve nga jashtë do të vazhdojë. Pas Filipineve, Bangladeshit, Indonezisë dhe Vietnamit, Shqipëria i ka hedhur sytë drejt shteteve të tjera, më të varfra.
Kryesisht për sektorin fason dhe atë të turizmit, janë rreth 40 mijë të huaj që pritet të vijnë në Shqipëri në muajt në vijim.
“Ne jemi duke bërë disa takime sektoriale me biznese për të kuptuar më mirë nevojat që kanë për punonjës, cilat janë profesionet ku kanë më shumë vështirësi për të gjetur forcë pune dhe cilat janë vendet nga ku mund të sigurojmë këtë forcë pune.”
Kjo në një kohë kur janë mbi 74 mijë shqiptarë të regjistruar si të papunë pranë zyrave të punës. Paradoksin e ngriti si shqetësim edhe deputeti socialist Vullnet Sinaj, nga Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
“Pse merren punonjës të huaj kur kemi shumë shqiptarë të papunë?”
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, iu përgjigj shqetësimit duke garantuar se “asnjë i huaj nuk mund të zërë vendet e lira të punës para shqiptarëve”.
“Ligji parashikon se kompanitë duhet fillimisht të shpallin vendet e lira të punës dhe t’u japin mundësi qytetarëve shqiptarë që të aplikojnë. Vetëm në rastet kur nuk ka kandidatë vendas që plotësojnë kërkesat e pozicionit të punës, atëherë mund të kërkohet punësimi i shtetasve të huaj.”
Pas shqetësimit të ngritur nga deputeti socialist Vullnet Sinaj për papunësinë, veçanërisht te të rinjtë, ministrja Ibrahimaj tregoi planet për zbutjen e këtij fenomeni.
“Nga viti i ardhshëm do të nisë të zbatohet Garancia Rinore, përmes së cilës synojmë që të rinjtë që janë jashtë tregut të punës, arsimit apo formimit profesional të kenë mundësi të përfshihen në një ofertë konkrete punësimi, arsimimi ose trajnimi. Qëllimi është të lehtësojmë kalimin e tyre drejt tregut të punës dhe të rrisim punësimin e të rinjve.”
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se numri i të huajve të pajisur me leje pune ka arritur në rreth 232 mijë. Pjesa më e madhe e tyre janë punësuar në industrinë përpunuese, ndërtim, bujqësi, peshkim, tregti apo informacion dhe komunikim.











