Arrestohen tre persona të kërkuar në Podujevë, dërgohen në vuajtje të dënimit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të kërkuar në Podujevë, të cilët ishin të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet janë realizuar nga njësitë e Stacionit Policor në Podujevë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Njëri nga të arrestuarit, A. F., 38 vjeç, ishte i kërkuar për veprat penale “Grabitje dhe vjedhje grabitqare në tentativë”, për të cilat ishte dënuar me katër vjet burgim.
Ndërkaq, personi tjetër, A. F., 42 vjeç, ishte në kërkim për veprën penale “Grabitje”, për të cilën ishte dënuar me dy vjet burgim.
Policia ka arrestuar edhe L. J., 27 vjeç, i cili ishte në kërkim për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, të tre personat janë dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me vendimet e gjykatës. /Telegrafi/











































