
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve dhe përplasjeve të fundit brenda Partisë Socialiste, duke i cilësuar ato si një luftë të brendshme mafioze mes Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Toni Gogut.
Përmes një deklarate, Bardhi thekson se sjellja e tyre nuk përbën asnjë surprizë, pasi, sipas tij, po dëshmojnë atë që opozita e ka denoncuar prej kohësh për mënyrën se si funksionon Partia Socialiste.
Ai e akuzon këtë forcë politike se është shndërruar në një organizatë mafioze, ku anëtarët shantazhojnë dhe kërcënojnë njëri-tjetrin, ndërsa lufta për pushtet po kthehet në një përplasje të hapur brenda radhëve të saj.
Postimi i plotë
Shqipëria ka halle shumë më të mëdha sesa lufta e brendshme mafioze mes Ramës dhe Veliajt. Nuk ka asnjë surprizë në sjelljen e Rama-Veliaj-Gogu. Ata thjesht po dëshmojnë çdo ditë se janë pikërisht ajo parti që ne kemi denoncuar prej kohësh: një organizatë mafioze, ku anëtarët sillen si mafiozë, shantazhojnë dhe kërcënojnë njëri-tjetrin.
Kur një parti politike shndërrohet në një organizatë mafioze, herët a vonë vjen dita kur anëtarët e saj kthehen kundër njëri-tjetrit dhe fillojnë të hanë kokat e njëri-tjetrit. Dhe duket se pikërisht në këtë pikë kanë mbërritur sot. Për gjithçka që i kanë bërë Shqipërisë dhe Tiranës, Zoti ua shtoftë inatin!
Shqipëria nuk mund të mbetet peng i përplasjeve dhe pazareve të tyre. Problemi i vendit është shumë më i madh sesa lufta për pushtet brenda kësaj organizate mafioze të korruptuar.
