Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të intensifikojë sulmet ndaj Ukrainës në prag të zgjedhjeve afatmesme në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të mbahen më 3 nëntor. Sipas tij, Vladimir Putin synon të përshkallëzojë sa më shumë konfliktin dhe të ushtrojë presion përmes goditjeve të vazhdueshme ndaj qyteteve ukrainase, veçanërisht kryeqytetit Kiev.
Në një intervistë për gazetën spanjolle, Zelensky u shpreh se Moska po përpiqet të tregojë forcën e saj përpara zgjedhjeve amerikane, duke shtuar se pret një intensifikim të mëtejshëm të sulmeve gjatë kësaj periudhe.
Sipas presidentit ukrainas në javët e fundit Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës. Ai pretendoi se kryeqyteti është goditur me 300 deri në 500 sulme në ditë, duke vënë në dukje se objektivat ruse nuk kufizohen vetëm te infrastruktura ushtarake.
“Rusët duan që ukrainasit, veçanërisht banorët e kryeqytetit, të largohen nga qyteti”, deklaroi Zelensky, duke argumentuar se një prej synimeve të Moskës është të krijojë idenë se Ukraina nuk mund të ekzistojë pa kryeqytetin e saj.
Megjithatë, ai theksoi se Ukraina është shumë më tepër se vetëm Kievi dhe se qyteti vazhdon të qëndrojë i fortë, pavarësisht sulmeve.
Zelensky akuzoi gjithashtu Rusinë se po përpiqet të paralizojë jetën e përditshme të qytetarëve, duke goditur shkollat, kopshtet, banesat, logjistikën dhe furnizimet me ushqime e medikamente. Sipas tij, synimi është të krijohen kushte kaotike, ku njerëzit të mos mund të shkojnë në punë apo fëmijët të ndjekin mësimin.
Presidenti ukrainas shtoi se Moska po i drejton kryesisht mesazhet e saj Uashingtonit, pasi, sipas tij, Putin beson se sulmet e intensifikuara mund të ndikojnë në perceptimin amerikan për fuqinë ruse.
Ai bëri të ditur se këtë rrezik ua kishte paralajmëruar edhe përfaqësuesve të ekipit negociator të Donald Trump, gjatë vizitës së tyre në Kiev më 6 shtator, duke u thënë se Ukraina mund të përballej me sulme masive që do të godisnin drejtpërdrejt popullsinë civile.






Komente
Komento