Luiza Zavalani i drejtohet emisionit “Stop”, duke denoncuar noteren Denada Kodra në Korçë, pasi pretendon se përmes një akti trashëgimie të hartuar me të dhëna të pasakta, i është marrë pjesa takuese e shtëpisë së prindërve.
Luiza tregon se nëna e saj, përmes një testamenti të mëparshëm, i kishte lënë asaj pjesën e saj të pronës, pasi Luiza kishte qenë e vetmja vajzë e familjes dhe kishte jetuar për vite me radhë në emigracion në Greqi.
Pas vdekjes së vëllait të Luizës, kunata e saj, sipas denoncimit, ka përfituar për të marrë nënën 90-vjeçare, e cila ishte e sëmurë, dhe për të hartuar një testament të ri. Dokumenti është përpiluar te noterja Denada Kodra, me një lapsus me pasoja të rënda: kunata figuron si vajza e të moshuarës dhe jo si nusja e familjes.
Gjithashtu, në aktin noterial nuk rezulton të jetë përfshirë një dokument mjekësor që të vërtetonte aftësinë e të moshuarës për të kuptuar dhe firmosur testamentin.
Kur “Stop” shkon në zyrën e noteres për të kërkuar shpjegime, ajo pranon se bëhet fjalë për një lapsus në dokument, ndërsa për mungesën e dokumentacionit mjekësor kërkon që përgjigjja të bëhet përmes një kërkese me shkrim.
Sipas Luizës, ky testament i ka hapur rrugën kunatës të përfitojë dy pjesë takuese të apartamentit: një përmes testamentit dhe një tjetër nga bashkëshorti i saj, vëllai i Luizës.
Më pas, çështja është çuar në gjykatë, ku kunata ka përfituar pronësinë mbi apartamentin, ndërsa më vonë ia ka shitur atë një kushëriri të familjes./tvklan.al










