Gazetari Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si një front të ri lufte brenda së majtës, ku në lojë janë kontrolli i Bashkisë së Tiranës, fondet dhe zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Vangjelit, përplasja mes tyre ka dhënë sinjale prej kohësh, përmes kundërshtimeve dhe mesazheve të përcjella në forma të ndryshme. Ai përmendi edhe reagimin e Veliajt, kur ky i fundit uroi fitoren e studentëve në Serbi, që u interpretua gjerësisht si një mesazh i koduar për Ramën dhe që, sipas gazetarit, u pasua nga transferimi i tij.
Duke iu referuar letrës së publikuar nga Veliaj, Vangjeli tha se ajo përmban një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit.
Ai e përshkroi konfliktin si një luftë mes dy figurave që deri dje dukeshin të pandara, por që tashmë janë kthyer në kundërshtarë të hapur. ‘Vazhdojnë të jenë vëllezër, por tashmë janë si Kaini dhe Abeli. Se cili është njëri dhe cili tjetri, Rama apo Veliaj, me këta emra të rinj, këtë nuk e di. Por një gjë është e sigurt: do të jetë një dimër i vështirë për të dy’, tha Vangjeli.
‘Thirrjet në protestë janë një lloj prej atyre thirrjeve që bëhen sikur dikush vetëthirret në apel, për të treguar se edhe ai është këtu. Ishte kundërshtimi që i bëri projektit të ndarjes territoriale. Ka pasur edhe sinjale të tjera, të përcjella në mënyra të ndryshme, të cilat kanë mbërritur edhe në media.
Deri te ajo që u lexua gjerësisht si një mesazh i koduar për Ramën, kur Veliaj uroi fitoren e studentëve në listën e studentëve në Serbi, një reagim që u pasua me transferimin e tij. Nëse shikoni tekstin e letrës, ai e drejton gishtin nga kryeministri. Është një sfidë ndaj kryeministrit, kur i thotë: ‘Nëse nuk është kështu, atëherë ndryshe ik’.
Unë nuk... Kjo ka të bëjë me atë që po diskutojmë që në fillim. Prit, më dëgjo një sekondë.
Tani kemi dy palë. Edi Rama, edhe për shkak të presionit të protestave, të cilat ka gjasa të vazhdojnë, ndihet në vështirësi në përpjekjen për të marrë Tiranën me çdo kusht. Bashkia e Tiranës është një nga themelet kryesore të pushtetit të nesërm qendror. Nëse bie Tirana, pushteti qendror i Ramës është seriozisht i kërcënuar në zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që ato të zhvillohen. Pra, atij i duhet ta marrë Bashkinë e Tiranës me çdo kusht, por llogaritë nuk po i dalin.
Ndërkohë, Veliaj e sheh Bashkinë e Tiranës si një mjet dhe instrument për të dalë në liri, së paku për të pritur hetimet në gjendje të lirë. Shto këtu edhe faktin se vetë Veliaj evidenton standardet diametralisht të ndryshme të trajtimit mes tij dhe një shembulli që ka pasur përballë në parti prej kohësh, zonjës Balluku. Ajo, me akuza më të rënda, është nën hetim në gjendje të lirë, ndërkohë që ai po mbush dy vjet në qeli.
Të dyja palët po e përdorin pikërisht këtë çështje. Është publikuar si lajm dhe unë kam marrë informacion, në disa drejtime dhe nga disa burime, për një rol të caktuar të Veliajt në frymëzimin, apo ndoshta edhe financimin, e protestave në Tiranë.
Në këtë kontekst mund të shihet edhe fraza që, sipas pretendimit të Veliajt, i është thënë: ‘Për minim të rendit kushtetues’. Pra, dënimi yt i ardhshëm, akuza jote e ardhshme, do të jetë minim i rendit kushtetues.
Ne nuk e dimë se deri ku shkon kjo çështje. Por ajo që mund të thuhet me siguri është se sot ka zyrtarisht një front të ri lufte brenda së majtës, që lidhet me fondet, zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës dhe zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që ato të zhvillohen.
Rama ka vepruar në kulmin e nervozizmit dhe, duke tentuar të zgjidhë një problem, ka hapur një telash tjetër, përballë një kundërshtari si Veliaj. Se çfarë peshe ka ky i fundit, e shtuar edhe nga roli i viktimës që po merr tashmë, mbetet për t'u parë.
Është ky front lufte mes dy vëllezërve, të cilët deri dje dukeshin të pandarë, por që i ndau fati dhe tani po riemërtohen me emra të rinj. Vazhdojnë të jenë vëllezër, por tashmë janë si Kaini dhe Abeli. Se cili është njëri dhe cili tjetri, Rama apo Veliaj, me këta emra të rinj, këtë nuk e di. Por një gjë është e sigurt: do të jetë një dimër i vështirë për të dy.’, u shpreh Lorenc Vangjeli në SYRI TV.
© SYRI.net