Trump çon çështjen në Gjykatën e Lartë, kërkon bllokimin e 20 mijë votave në Kaliforni

2 Nëntor 2026 | 22:21

Donald Trump ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara për të ndaluar përkohësisht numërimin e rreth 20 mijë votave me postë në Kaliforni. Administrata amerikane pretendon se këto vota u përkasin personave që mund të mos jenë shtetas amerikanë dhe për rrjedhojë, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet federale.

Kërkesa është paraqitur në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, që zhvillohen më 3 nëntor, pasi përpjekjet e mëparshme të Departamentit të Drejtësisë për të bllokuar numërimin e këtyre votave janë rrëzuar nga gjykatat federale dhe Gjykata e Apelit për Qarkun e Nëntë. Administrata Trump kërkon që Gjykata e Lartë të ndërhyjë urgjentisht dhe të pezullojë numërimin deri në verifikimin e shtetësisë së personave të përfshirë në listë.

Departamenti i Drejtësisë argumenton se Kalifornia nuk po zbaton siç duhet ligjin federal të vitit 1996, i cili ndalon votimin e personave që nuk janë shtetas amerikanë në zgjedhjet federale. Nga ana tjetër, autoritetet e Kalifornisë kundërshtojnë kërkesën, duke pretenduar se lista e hartuar nga qeveria federale mbështetet në të dhëna të pasakta dhe se bllokimi i votave mund të cwnojë të drejtën e qytetarëve amerikanë për të votuar.

Sipas autoriteteve të shtetit, kontrollet paraprake kanë treguar se në listën e personave të dyshuar mund të jenë përfshirë edhe qytetarë amerikanë, përfshirë persona të lindur në Shtetet e Bashkuara. Edhe gjykatësit që kanë shqyrtuar çështjen kanë ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e të dhënave dhe rrezikun që masa të prekë votues të ligjshëm.

Përplasja ligjore ka hapur një debat mbi kufijtë e kompetencave të qeverisë federale dhe të shteteve në administrimin e zgjedhjeve. Kushtetuta amerikane u jep shteteve përgjegjësinë kryesore për organizimin e proceseve zgjedhore, ndërsa administrata Trump pretendon se ndërhyrja e saj është e nevojshme për të garantuar zbatimin e ligjit federal.

Çështja në Kaliforni është një nga disa përpjekjet e fundit të Departamentit të Drejtësisë për të ndërhyrë në proceset zgjedhore përpara votimeve të 3 nëntorit. Një tjetër padi e administratës Trump, që synonte bllokimin e certifikimit të rezultatit në Alaskë në rast të humbjes së senatorit republikan Dan Sullivan, u rrëzua nga një gjykatë federale të dielën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Sulme të reja ndaj Iranit, përgjigjet Trump: Ata na u lutën të ndalojmë dhe ne do ta bëjmë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ngriti dyshime të hënën nëse do të vazhdonte me kërcënimin për rifillimin e sulmeve ushtarake kundër Iranit dhe tha se...
22:10 | 02/11/2026

Ngërç politik në Izrael, Netanyahu kërkon të mbetet kryeministër, opozita mbështet Eisenkot për formimin e qeverisë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se ishte i hapur për bisedime për formimin e një qeverie të gjerë, por këmbënguli që ai duhet...
21:47 | 02/11/2026

“Lufta po vjen” – Kërcënimi i Trumpit ndaj Iranit ringjall frikën në Gjirin Persik

Kërcënimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të goditur përsëri Iranin i përball aleatët e Gjirit të Amerikës me një perspektivë të zymtë: një...
21:31 | 02/11/2026