Arbër Hajdari ka reaguar pas përfshirjes së emrit të tij në debatin politik mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një reagimi publik, Hajdari shprehet se ka marrë një numër të madh mesazhesh lidhur me pretendimet e Veliajt, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.

Ai mohon gjithashtu të ketë pasur ndonjë interes për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës apo të jetë përfshirë në këtë histori politike dhe penale. Hajdari ironizon situatën, duke thënë se nuk e kupton përse është përfshirë këtë herë në atë që e cilëson si fantazi të Veliajt. Në fund, ai thekson se fundjavat i kalon pranë njerëzve në nevojë, ndërsa zhvillimet politike të javës i konsideron thjesht debate dhe fjalë të kot.

Arbër Hajdari: Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë! Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri! Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota. Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës.