Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka komentuar përplasjen mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke pretenduar se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, po përdoret nga kryeministri në konfliktin me kryebashkiakun e Tiranës.
I ftuar në emisionin “Prime” në News24, Këlliçi deklaroi se Gogu, të cilin e identifikoi si ish-bashkëpunëtor të afërt të Veliajt, po shërben si ndërmjetës për përcjelljen e mesazheve politike drejt ish-kryetarit të tij.
Sipas deputetit demokrat, vizita e ministrit në burg do të duhej të zhvillohej përmes procedurave përkatëse nëse qëllimi do të ishte verifikimi i kushteve të paraburgimit. Ai e lidhi përplasjen aktuale me dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet vendore dhe garën e ardhshme për Bashkinë e Tiranës.
Këlliçi pretendoi se brenda Partisë Socialiste po zhvillohet një përplasje mes dy grupeve për kontrollin e kryeqytetit. Ai tha se Rama po bën llogaritë politike për zgjedhjet e ardhshme, pasi humbja e Tiranës, sipas tij, do të rrezikonte edhe pozitat e kryeministrit në pushtetin qendror.
Duke iu referuar një sondazhi, pa specifikuar institucionin që e ka realizuar, Këlliçi pretendoi se PS rezulton me 42% mbështetje, ndërsa opozita do të kalonte 50% në rast bashkimi.
“Që e vërteta dhe Erion Veliaj të jenë në të njëjtën fjali, kjo ishte diçka e paimagjinueshme. Toni Gogu, ose Oltion Gogu më saktë, ka qenë një ushtar i Veliajt dhe po keqpërdoret nga Rama për t’i dërguar këtë mesazh ish-shefit të tij”, deklaroi Këlliçi.
Më tej, deputeti i PD-së u shpreh se konflikti për Bashkinë e Tiranës është në qendër të përplasjes dhe se sjellja e kryeministrit në këtë situatë, sipas tij, pasqyron mënyrën se si funksionon pushteti.












