Arbër Hajdari ka zgjedhur të reagojë duke u pozicionuar në krah të atyre që sulmojnë Erion Veliajn, pas letrës së këtij të fundit sot, ku e përmendi si emër të cilit duhej t'i dorëzonte bashkinë. Ndërkohë që njëkohësisht pretendon se nuk ka asnjë lidhje me çështjen e bërë publike nga kryebashkiaku.
Por, nëse i referohemi përmbajtjes së letrës së Veliajt, emri i Arbër Hajdarit nuk përmendet në asnjë moment si personi që ka iniciuar apo organizuar këtë çështje. Përkundrazi, Veliaj e përmend atë në një kontekst tjetër: si personin për të cilin, sipas pretendimit të tij, Edi Rama kishte kërkuar që t'i hapej rruga për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht këtu qëndron kontradikta që ngre pikëpyetje mbi reagimin e Hajdarit. Në vend që të sqarojë konkretisht rrethanat e përmendjes së emrit të tij, ai ka zgjedhur të sulmojë Veliajn. Një reagim i tillë, në këtë kontekst, nuk i jep fund debatit, por shton pikëpyetjet mbi pretendimet e bëra publike nga kryebashkiaku, dhe e përforcon denoncimin e tij.
Situata merr një tjetër dimension edhe pas deklaratës së Plarent Ndrecës në emisionin ‘Opinion’, ku ai tha se ka edhe persona të tjerë që janë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje.
Në këto kushte, mbetet për t'u sqaruar nëse kemi të bëjmë me një mohim të drejtpërdrejtë të rrethanave të përmendura nga Veliaj apo me një reagim që ia kanë vënë përpara Arbërit që ta lexojë.
Reagimi i Arbër Hajdarit:
Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!
Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!
Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota.
Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës.
© SYRI.net