
Peshkopi Heiner Wilmer
Kreu i Kishës Katolike në Gjermani ka akuzuar partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) se shfaq “përçmim për demokracinë tonë dhe parimet e saj”, duke përforcuar kritikat ndaj ekstremistëve të djathtë të shprehura nga Papa Leo dhe udhëheqës të tjerë të krishterë.
Peshkopi Heiner Wilmer, president i Konferencës së Peshkopëve Gjermanë, tha se ai dhe klerikët e lartë katolikë “e kundërshtojnë me forcë” pretendimin e AfD-së se është një organizatë e krishterë. Ai e cilësoi partinë, e cila tashmë është në pozicion për të formuar qeverinë në landin lindor të Saksonisë-Anhalt, si “një ujk të veshur me lëkurë deleje”.
Në një intervistë, Wilmer tha se Kisha Katolike do të ruajë vijat e saj të kuqe ndaj AfD-së, duke refuzuar t’u ofrojë platforma publike drejtuesve apo përfaqësuesve zyrtarë të një partie që ai e akuzon se minimizon krimet historike të epokës naziste, shkruan Financial Times.
“Ideologjia etno-nacionaliste… është plotësisht e papajtueshme me krishterimin”, tha Wilmer për Financial Times në Kolegjin Teutonik të Vatikanit, një institucion 150-vjeçar. “Brenda ideologjisë së cilës politikanët e AfD-së i referohen vazhdimisht, gjermanët e bardhë, meshkuj dhe të djathtë, lartësohen veçanërisht në kurriz të të tjerëve — sidomos emigrantëve”.
Sipas Wilmerit, ky mesazh bie në kundërshtim të thellë me krishterimin bashkëkohor, i cili nxit “dashurinë për të afërmin dhe solidaritetin me të gjithë njerëzit në nevojë — dhe jo vetëm me ata që i konsiderojmë kulturalisht të ngjashëm me ne ose me të cilët është e leverdishme të bashkohemi”.
Megjithatë, Wilmer tha se Kisha nuk do t’ua “mbyllë dyert njerëzve që votojnë për këto parti”, por përkundrazi do të “kërkojë dialog” dhe do të përpiqet të “ofrojë orientim”. Ai shtoi gjithashtu se Kisha Katolike do të kërkojë të “bashkëpunojë me forca të tjera të shoqërisë për të mbrojtur demokracinë në Gjermani dhe kohezionin në Evropë”.
AfD-ja, e cila kundërshton emigracionin dhe mbështet Rusinë, doli nga zgjedhjet e fundit si partia më e madhe në Saksoninë-Anhalt, ku së shpejti mund të marrë drejtimin e qeverisë së parë rajonale të ekstremit të djathtë në Gjermani që prej Luftës së Dytë Botërore. Aktualisht, ajo rezulton me rreth 30% në sondazhet në nivel kombëtar.
Kritika e ashpër e Kishës ndaj AfD-së — e bërë zyrtare për herë të parë në vitin 2024, përmes një deklarate publike dënuese të Konferencës së Peshkopëve Gjermanë — është e pazakontë në Evropë. Klerikët katolikë zakonisht shprehin mësimet e Kishës për çështje të veçanta që i konsiderojnë shqetësuese, ndërsa përpiqen të ruajnë një qëndrim jopartiak.

Megjithatë, kjo deklaratë pasqyron shqetësimin në rritje të Vatikanit për ngritjen e forcave të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën — nga Tubimi Kombëtar (Rassemblement National) në Francë, te Vox në Spanjë dhe National Future në Itali — përpara një cikli intensiv zgjedhor evropian, gjatë të cilit katër nga pesë shtetet anëtare më të populluara të BE-së do të zhvillojnë zgjedhje kombëtare në 12 muajt e ardhshëm.
Që prej zgjedhjes së tij në fronin papnor, Papa Leo ka kritikuar trajtimin e pamëshirshëm të emigrantëve nga SHBA-ja. Ai ka vizituar gjithashtu ishullin italian të Lampeduzës dhe Ishujt Kanarie të Spanjës — dy pika kryesore mbërritjeje për emigrantët e huaj që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm drejt Evropës nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
Papa Leo ka mbështetur shqetësimet e peshkopëve gjermanë për AfD-në, duke deklaruar së fundmi se “ndërthurja e këtyre pikëpamjeve të ekstremit të djathtë me një lloj të caktuar feje… nuk është një shprehje autentike e krishterimit”.
Komentet e tij erdhën pas përjashtimit të fundit nga Kisha, përmes shkishërimit, të klerikëve dhe anëtarëve laikë të një shoqërie katolike rebele dhe ultrakonservatore, Shoqëria e Shën Piut X, e cila ka pasur lidhje historike me të djathtën ekstreme franceze. Për këtë shoqëri kishte punuar si avokat edhe ligjvënësi i AfD-së, Maximilian Krah.
Rreth 23% e gjermanëve janë të regjistruar si katolikë dhe rreth 20% janë protestantë, ndërsa 48% e popullsisë nuk ka përkatësi fetare.
Wilmer pranoi se qëndrimet e AfD-së për shumë çështje bashkëkohore biomjekësore — përfshirë kundërshtimin e abortit, vetëvrasjes së asistuar dhe surrogacisë komerciale — përputhen me mësimet katolike.

Megjithatë, ai tha se kjo i jep vetëm një “fasadë të krishterë” një partie që ai e akuzon se ka një botëkuptim përjashtues dhe toleron intimidimin agresiv të kritikëve të saj.
“Kur AfD-ja e bën identitetin kombëtar ose kulturor kriterin përcaktues të përkatësisë politike, duhet të shtrojmë një pyetje themelore: çfarë ndodh me dinjitetin e atyre që nuk i përkasin këtij identiteti?”
Nga ana e saj, AfD-ja ka kërkuar ndërprerjen e financimit shtetëror gjerman për kishat katolike dhe protestante, detyrime financiare që burojnë nga sekuestrimi i pronave të Kishës në shekullin XIX.
Partia kërkon gjithashtu që qeveria të ndalojë mbledhjen e taksave kishtare në emër të komuniteteve fetare, një masë që mund t’i shkaktojë një goditje të rëndë financiare Kishës Katolike gjermane. Kjo e fundit shpenzoi më shumë se 537 milionë euro për ndihma humanitare ndërkombëtare vitin e kaluar.
Kishat e krishtera luajtën një rol të rëndësishëm në mirëpritjen e një milion emigrantëve që mbërritën në Gjermani nga Siria e shkatërruar nga lufta dhe vende të tjera në vitin 2015, pasi kancelarja e atëhershme Angela Merkel vendosi të pranojë azilkërkues nga Lindja e Mesme.
Jo të gjithë klerikët e lartë katolikë gjermanë janë dakord me qëndrimin e hapur të peshkopëve. Kardinali Gerhard Müller — ish-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, dikur i njohur si Inkuizicioni — paralajmëroi në shtator kundër “abuzimit me autoritetin shpirtëror për qëllime politike”.
Por kritikat e peshkopit vijnë në një kohë kur arkivat e Vatikanit, të hapura së fundmi, kanë rikthyer vëmendjen te reagimi kontradiktor i Kishës Katolike ndaj ngritjes së fashizmit në Evropë një shekull më parë.
“Kisha Katolike akuzohet vazhdimisht se nuk mbajti një qëndrim mjaftueshëm të vendosur kundër nazistëve në Gjermani. Nuk dëshiroj të jap këtu një gjykim për veprimet e drejtuesve të Kishës në atë kohë”, tha Wilmer. “Por për ne sot — në kohën në të cilën jetojmë — theksojmë se bëjmë gjithçka kundër çdo forme antisemitizmi dhe cenimit të njerëzimit. Prandaj them: duhet ta ndalojmë që në embrion.”