Lajme

Alarmohen klientët e Credins Bank, karta të bllokuara në ATM dhe denoncime për llogari të zeruara

Probleme të përsëritura me shërbimet bankare të Credins Bank kanë shkaktuar shqetësim dhe panik te klientët, disa prej të cilëve pretendojnë se u janë mbajtur kartat e debitit në bankomate, ndërsa të tjerë denoncojnë se u janë zeruar llogaritë bankare.

Disa denoncime të njëpasnjëshme kanë mbërritur në redaksinë e Shqip.com, ku qytetarët raportojnë problematika me llogaritë dhe kartat e tyre bankare. Sipas tyre, raste të tilla janë regjistruar në disa ATM në Tiranë, duke ngritur pikëpyetje dhe pasiguri për aksesin në paratë e tyre.

Përballë kësaj situate, klientë të shqetësuar janë drejtuar pranë degës së Credins Bank në qendrën tregtare Ring Center, e cila, sipas informacioneve të siguruara, është e vetmja degë që ofron shërbim edhe gjatë orëve të pasdites.

Megjithatë, edhe në këtë degë, qytetarët janë përballur me radhë të gjata, çka e vështirëson marrjen e një përgjigjeje dhe zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.

Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë tonë, klientët pretendojnë se nuk kanë marrë sqarime të mjaftueshme nga përfaqësuesit e bankës. Ata shprehen se shqetësimet e tyre trajtohen si raste të izoluara, ndërkohë që në Shqip.com kanë mbërritur raportime të përsëritura për problematika të ngjashme.

Situata ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si banka po i trajton ankesat e klientëve dhe, mbi të gjitha, për transparencën lidhur me atë që po ndodh me shërbimet e saj.

Sa të sigurta janë paratë e qytetarëve në llogaritë e tyre bankare? Ky është shqetësimi kryesor që lind në një situatë të tillë, kur bëhet fjalë për llogari ku qytetarët marrin pagat mujore apo mbajnë kursimet e tyre.

Përtej problemeve me kartat e debitit dhe aksesin në llogari, raportimet për zerimin e tyre kërkojnë një sqarim të qartë dhe të menjëhershëm nga banka, në mënyrë që klientët të kuptojnë nëse bëhet fjalë për një problem teknik, një pasaktësi në shfaqjen e gjendjes së llogarisë apo për një problem tjetër.

Sipas denoncimeve të mbërritura në redaksinë e Shqip.com, problematikat kanë disa ditë që raportohen, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë zgjidhje dhe përgjigje konkrete.

Në këto kushte, mbetet e domosdoshme që Credins Bank të sqarojë publikisht natyrën e problemeve të raportuara, numrin e klientëve të prekur dhe masat e marra për rikthimin e shërbimeve në normalitet.

Shqip.com do të vijojë të ndjekë këtë çështje dhe të përcjellë reagimin e bankës lidhur me shqetësimet e ngritura nga klientët.

©Shqip.com