Një llogari në Netflix, pikturat familjare dhe komunikimet për ndërtimin e një pishine janë disa nga provat e SPAK që e lidhin ish-zv.kryeministren Belinda Balluku me pronësinë e një vile në Dhërmi, e cila dyshohet se u përfitua në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”. Hetimi për vilën ka nxjerrë gjithashtu në pah një rrjet personash pranë Ballukut dhe një vijimësi marrëdhëniesh të dyshuara abuzive, që sipas prokurorisë datojnë që prej vitit 2014.

Në fund të prillit 2026, kur oficerët e policisë gjyqësore hynë për kontroll në vilën F6 të kompleksit “White Rocks” në Dhërmi, gjetën në muret e saj piktura me inicialet e vajzës së Belinda Ballukut dhe zbukurime ditëlindjeje me emrin e djalit të saj.

Në televizorin e dhomës së ndenjes, aplikacioni Netflix ishte i hapur me adresën elektronike të ish-zëvendëskryeministres, ndërsa profilet e përdoruesve mbanin emrat e saj dhe të fëmijëve.

“Belinda”, “Belenko”, “belen” dhe “princess colin” ishin emrat që hetuesit gjetën të regjistruara në televizor.

Për Prokurorinë e Posaçme, këto ishin vetëm disa nga gjurmët e një pasurie që rezultonte në emra të tjerë, por që, sipas hetimit, zotërohej dhe përdorej prej vitesh nga Balluku dhe familjarët e saj.

Sipas një vendimi për njoftim akuze të 16 tetorit 2026, vila dyshohet se ishte përfituar nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të Albcontrol-it të vitit 2014, ku Evis Berberi drejtonte Komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Berberi e vijoi më pas karrierën në institucionet e drejtuara nga Balluku, përfshirë ARRSH-në, ndërsa dyshimet për ndërhyrje në tendera u shtrinë edhe te kontratat e infrastrukturës, të përfshira në hetimet e vitit 2025.

Prokuroria pretendon se përfitimi u fsheh përmes një kontrate porosie në emër të ish-futbollistit Igli Tare dhe një kontrate të mëvonshme qiraje me Joana Bushin, ish-shefe e kabinetit dhe bashkëpunëtore e afërt e Ballukut.

Hetimi po kryhet nga prokurorët e posaçëm Dorina Bejko dhe Dritan Prençi. Dokumenti përmban kryesisht arsyetimin e akuzës ndaj personit juridik “Eurocol” sh.p.k në pronësinë e biznesmenit Pandeli Carapuli, bazuar në provat e administruara nga hetimet për kontratat publike, pasurinë e dyshuar të fshehur dhe lëvizjen e fondeve.

Për episodin e vilës në Dhërmi, SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun, të cilën e akuzon për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie, administratorin e “Eurocol”, Pandeli Carapuli, ish-futbollistin Igli Tare dhe Joana Bushin për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim. E njëjta akuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik “Eurocol” sh.p.k., të cilin prokuroria e konsideron pjesë të mekanizmit të fshehjes së përfitimit të dyshuar korruptiv.

Dosja e vilës në Dhërmi është pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila u mor fillimisht e pandehur për abuzimet e dyshuara me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe më pas për një sërë procedurash prokurimi në Unazën e Madhe të Tiranës.

Më 20 tetor 2026, SPAK i komunikoi Ballukut akuzat për pesë vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera në nëntë raste, korrupsionin pasiv në dy cilësi të ndryshme, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Në total, dosja e bashkuar përfshin 24 të akuzuar, individë dhe kompani, mes të cilëve ish-vartës të Ballukut dhe biznesmenë të dyshuar për përfitime të paligjshme nga tenderat publikë.

Balluku i ka mohuar akuzat ndaj saj, ndërsa hetimet kanë shkaktuar një përplasje mes prokurorisë dhe mazhorancës socialiste. Në mars të këtij viti, shumica parlamentare rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres.

Komunikimi i akuzave ndaj Ballukut në tetor 2026 nuk u shoqërua me një kërkesë të re të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të saj, ndërsa opozita e kritikoi Prokurorinë për atë që e cilëson si trajtim të diferencuar, duke kërkuar shpjegime për mungesën e një kërkese të re për autorizimin e arrestimit të saj.

Tenderi që parapriu vilën

Sipas SPAK, historia e vilës në kompleksin White Rocks në Dhërmi nis në vitin 2014, kur Albcontrol, institucioni përgjegjës për kontrollin e trafikut ajror, drejtohej nga Belinda Balluku.

Në nëntor të atij viti, institucioni hapi një procedurë prokurimi për rikonstruksionin e godinës teknologjike, me një fond limit prej rreth 73.9 milionë lekësh pa TVSH.

Në garë morën pjesë katër operatorë ekonomikë, me oferta që varionin nga 48.3 milionë deri në 72.4 milionë lekë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i drejtuar nga Evis Berberi, në atë kohë zyrtar i Albcontrol-it dhe një nga personat që akuzohen në dosjen e bashkuar, skualifikoi tre ofertuesit e tjerë për mosplotësim të kritereve teknike dhe dokumentare.

Fituese u shpall kompania “Eurocol”, e cila kishte paraqitur ofertën më të lartë prej 72,3 milionë lekësh pa TVSH. Ky tender dhe roli i Evis Berberit, i cili e vijoi karrierën në institucionet e drejtuara nga Balluku, japin një panoramë të një dekade tenderash të dyshuar si të manipuluar, që nisin në Albcontrol dhe vijojnë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet në varësi të saj.

Pas largimit nga Albcontrol-i, Berberi u emërua këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në qershor 2021 mori drejtimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH. Në këtë detyrë, sipas hetimeve të SPAK-ut, Berberi zbatonte udhëzimet e Ballukut për procedurat e prokurimit, përfshirë tenderin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Komunikimet e sekuestruara në telefonin e tij tregojnë se ai konsultohej me ministren për vendimmarrjen mbi tenderat e mëdhenj, ndërsa hetohet edhe për një sërë tenderash më të vegjël për mbikëqyrjen e punimeve.

Ekspertimi kompjuterik i celularit të sekuestruar në banesën e Berberit ka shërbyer si një prej indicieve për hetimin. Në këtë rast, të dhënat e zbuluara në celular treguan se kriteret e tenderit ishin, me gjasë, hartuar paraprakisht nga vetë kompania private që do të shpallej fituese. Në vendim thuhet se katër ditë përpara se Balluku të nxirrte urdhrin e prokurimit, më 6 nëntor 2014, nga adresa zyrtare elektronike e kompanisë “Eurocol” iu dërgua Berberit dokumenti me titull “Kriteret përfundimtare Albkontrolli (2)”.

Sipas vendimit të SPAK-ut, kushtet e dërguara me email nga kompania u kopjuan fjalë për fjalë nga Njësia e Prokurimit në dokumentet zyrtare të tenderit.

Hetimet zbuluan se një ditë pas shpalljes së garës, administratori i “Eurocol”-it, Pandeli Carapuli, dhe punonjësi i tij, Fejzi Kodra, shkëmbyen mesazhe në celular. “Shiko u shpall ky i fundit. I madh”, i shkruante Carapuli, për të vijuar: “Ok të fillojmë përgatitjet”.

Kur dy kompani konkurruese paraqitën ankesa kundër kritereve kufizuese të tenderit, Balluku ngarkoi Berberin për shqyrtimin e ankesës së parë, ndërsa të dyja ankesat u rrëzuan. Po atë ditë, Carapuli i dërgonte me SMS punonjësit të tij numrin e celularit të Berberit. “Ky është numri i Visit”, i shkruante ai.

Në hapjen e ofertave, më 8 dhjetor 2014, “Eurocol” sh.p.k. u rendit e fundit mes katër konkurrentëve, me ofertën më të shtrenjtë. Por, sipas hetimit, tre ditë më vonë, komisioni i drejtuar nga Evis Berberi skualifikoi të tre garuesit që kishin paraqitur çmime më të ulëta, duke përdorur si shkak skualifikimi po ato kritere që kishte dërguar me email “Eurocol” para nisjes së garës.
Sipas prokurorisë, favorizimi vijoi edhe me lidhjen e kontratës dhe pagesat. Ende pa u publikuar fituesi në Buletinin e Prokurimeve Publike, Berberi i dërgoi kompanisë “Eurocol” draftin e kontratës.

Kontrata u nënshkrua nga Balluku dhe Carapuli më 30 dhjetor 2014, duke përfshirë një klauzolë parapagimi prej 50 për qind të vlerës totale. Vetëm një ditë më pas, më 31 dhjetor 2014, Albcontrol transferoi në llogarinë e “Eurocol”-it 43.4 milionë lekë me TVSH, ndonëse punimet nisën vetëm në shkurt të vitit 2015.

Një vit më vonë, në dhjetor 2015, përmes një procedure me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, ku komisioni i negocimit drejtohej sërish nga Evis Berberi dhe kishte anëtare Joana Bushin, Balluku i dha kompanisë “Eurocol” edhe një shtesë kontrate në kufirin maksimal prej 20 për qind, duke e çuar vlerën totale të paguar nga Albcontrol në afro 102 milionë lekë me TVSH.

Sipas prokurorisë, procedurat e prokurimit dhe marrëdhënia e krijuar mes drejtueses së institucionit dhe kompanisë përbëjnë sfondin e përfitimit të dyshuar korruptiv që u materializua më vonë në vilën F6.

Në arsyetimin e tij, SPAK e lidh përfitimin me vendimmarrjen e Ballukut në Albcontrol, duke iu referuar “paracaktimit, krijimit të avantazheve dhe privilegjeve për shoqërinë fituese” të tenderit të rikonstruksionit.

Sipas prokurorisë, vila e tipit “Begonia”, me një sipërfaqe ndërtimi prej 103 metrash katrorë, verandë prej 34 metrash katrorë dhe një parcelë të rrethuar prej të paktën 300 metrash katrorë, ishte përfitimi i parregullt që Balluku mori në vitin 2018.

“Ky përfitim i parregullt rezulton të jetë marrë nga shtetasja Belinda Balluku në vitin 2018”, shkruajnë prokurorët, duke iu referuar procedurës për blerjen e një vile nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.
Si u fsheh vila në Dhërmi

Në dhjetor 2018, kompania “Eurocol” lidhi një kontratë me ish-futbollistin Igli Tare për vilën F6 në kompleksin “White Rocks”, me çmim 145 mijë euro. Nga kjo shumë, sipas SPAK-ut, ishin paguar vetëm 70 mijë euro, ndërsa ekspertimi e vlerësoi pronën 420 mijë euro në kohën e kontraktimit, gati trefishin e çmimit të deklaruar.

Prokuroria pretendon se Tare kishte vepruar për llogari të Ballukut dhe se vila ishte shpërblim për favorizimin e ndërtuesit në tenderin e Albcontrol-it. “Kjo pasuri rezulton të jetë krijuar si përfitim i parregullt i dhënë nga shtetasi Pandeli Carapuli, administrator i shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k., në drejtim të shtetases Belinda Balluku,” thuhet në vendim.

Tare figuron si pronar edhe i një vile tjetër në kompleksin “Green Coast” në Palasë, të cilën SPAK e dyshon gjithashtu si pasuri të fshehur të Ballukut, në një episod tjetër të hetimit që lidhet me tenderat e Unazës së Madhe. Tare i ka mohuar akuzat përmes të vëllait.

Për të fshehur pronësinë e vilës F6, sipas prokurorisë, në maj 2022 Tare lidhi një kontratë qiraje me Joana Bushin, ish-shefen e kabinetit të Ballukut për 450 euro në muaj, shumë që u rrit në 600 euro në vitin 2024. Hetuesit gjetën edhe dy dokumente për depozitimin e shumave prej 5400 eurosh secila nga Bushi në llogarinë e Tares, por arritën në përfundimin se marrëdhënia e qirasë ishte fiktive.

“Për të fshehur këtë pasuri, si produkt i veprës penale të korrupsionit, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare dhe vartësen e saj, shtetasen Joana Bushi,” arsyetojnë prokurorët.

Sipas prokurorisë, fiktiviteti i kontratës mbështetet kryesisht në provat e gjetura në vilë, komunikimet e drejtpërdrejta të Ballukut për ndërtimin e pishinës, si dhe komunikimet mes personave të tjerë të lidhur me të apo punonjësve të “Eurocol”-it.

Ato përfshijnë referenca të qarta për “vilën e shefes”, ndërsa në një prej celularëve të ekspertuar u gjetën edhe fotografi të një kutie të mbushur me para në euro, të cilën prokuroria e lidh me ambientet e vilës.

Fotografia u gjet në telefonin e pastrueses së familjes dhe ishte dërguar nga bashkëshorti i saj, i cili gjithashtu rezulton se punonte në vilë. Në të shfaqet një kuti e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe, të lidhura me llastik. Sipas hetuesve, fotografia ishte dërguar përmes WhatsApp-it më 17 korrik 2021 dhe paratë ndodheshin “në dukje si në ambientet e vilës F6”.

SPAK e ka përfshirë fotografinë mes provave të administruara për përdorimin e pasurisë dhe marrëdhëniet e personave të lidhur me të, por nuk përcakton shumën totale të parave, origjinën e tyre apo personin të cilit i përkisnin.

Ndërkohë, në disa komunikime Balluku shfaqet drejtpërdrejt. Më 3 prill 2020, Julian Kelo, ish-punonjës i Albcontrol-it, i dërgoi Ballukut një email me subjekt “Pishina”. “Mirëmengjes! Po të nis planet e pishinës”, shkruhej në email.

Email-i iu përcoll më pas nga adresa e Ballukut Viola Haxhiademit, një prej personave që ndiqte punimet dhe që, sipas prokurorisë, kishte një vilë në afërsi. Sipas ekspertimit, investimet dhe mobilimi i vilës, përfshirë pishinën, u vlerësuan në rreth 9.8 milionë lekë.

Megjithëse prokuroria pretendon se vila ishte përfituar përmes korrupsionit, ndjekja penale për korrupsionin aktiv dhe shkeljen e barazisë në tendera në këtë rast është parashkruar për shkak të kalimit të afatit pesëvjeçar. Parashkrimi nuk e ka penguar SPAK-un të ngrejë akuzën për pastrim parash ndaj Ballukut dhe personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë./Birn

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb