Një abonim në Netflix, piktura që mbajnë inicialet e fëmijëve dhe bisedat për ndërtimin e një pishine janë ndër provat kryesore që Prokuroria e Posaçme ka mbledhur për të lidhur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku me pronësinë e një vile në Dhërmi.
Sipas hetimit, kjo pronë dyshohet se u mor si kundërshpërblim për favorizimin e kompanisë “Eurocol”. Nga hetimet për këtë çështje ka dalë gjithashtu një rrjet i tërë personash të afërt me Ballukun, si dhe një zinxhir marrëdhëniesh të dyshuara abuzive që prokuroria i gjurmon që nga viti 2014.
Të lidhura
None found
Gjatë kontrollit të kryer në fund të prillit 2026 në vilën F6 të kompleksit “White Rocks” në Dhërmi, oficerët e policisë gjyqësore vunë re në mure piktura me inicialet e vajzës së Belinda Ballukut dhe dekorime ditëlindjeje që mbanin emrin e djalit të saj.
Në televizorin e dhomës së ndenjes ishte i hapur aplikacioni Netflix me llogarinë elektronike të ish-zëvendëskryeministres, ndërsa profilet e përdoruesve ishin emërtuar me emrat e saj dhe të fëmijëve. Hetuesit regjistruan profilet “Belinda”, “Belenko”, “belen” dhe “princess colin”.
Për SPAK-un, këto të dhëna përbënin vetëm një pjesë të gjurmëve të një pasurie që figuronte në emra të tjerë, por që sipas hetimit ishte në përdorim të vazhdueshëm prej Ballukut dhe familjes së saj prej vitesh.
Në vendimin për njoftimin e akuzës të datës 16 tetor 2026, prokuroria pretendon se vila ishte marrë nga Balluku si shpërblim për favorizimin e “Eurocol”-it në një tender të Albcontrol-it në vitin 2014, kur Evis Berberi kryesonte Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.
Berberi vazhdoi më pas karrierën në institucionet e drejtuara nga Balluku, përfshirë ARRSH-në, ndërsa dyshimet për manipulim tenderash u zgjeruan edhe te kontratat e infrastrukturës të hetuara në vitin 2025.
Sipas prokurorisë, përfitimi u maskua fillimisht përmes një kontrate porosie në emër të ish-futbollistit Igli Tare dhe më pas me një kontratë qiraje me Joana Bushin, ish-shefen e kabinetit dhe bashkëpunëtoren e ngushtë të Ballukut.
Hetimi drejtohet nga prokurorët e posaçëm Dorina Bejko dhe Dritan Prençi. Dokumenti përmban kryesisht arsyetimin e akuzës ndaj personit juridik “Eurocol” sh.p.k., në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli, bazuar në provat e grumbulluara nga hetimet për kontratat publike, pasurinë e dyshuar të fshehur dhe lëvizjet e fondeve.
Për çështjen e vilës në Dhërmi, SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie, si dhe administratorin e “Eurocol”-it, Pandeli Carapuli, ish-futbollistin Igli Tare dhe Joana Bushin për pastrim të produkteve të veprës penale në bashkëpunim. E njëjta akuzë është ngritur edhe ndaj kompanisë “Eurocol” sh.p.k., e cila sipas prokurorisë ishte pjesë e mekanizmit të fshehjes së përfitimit korruptiv.
Dosja e vilës në Dhërmi është pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj ish-zëvendëskryeministres, e cila fillimisht u vu nën akuzë për abuzimet e dyshuara me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe më pas për një sërë procedurash prokurimi në Unazën e Madhe të Tiranës.
Më 20 tetor 2026, SPAK i komunikoi Ballukut akuzat për pesë vepra penale, ndër të cilat shkelja e barazisë në tendera në nëntë raste, korrupsioni pasiv në dy forma të ndryshme, fshehja e pasurisë në dy raste dhe pastrimi i parave në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Dosja e bashkuar përfshin gjithsej 24 të akuzuar, individë dhe kompani, mes tyre ish-vartës të Ballukut dhe biznesmenë të dyshuar për përfitime të paligjshme nga tenderat publikë. Balluku i ka mohuar akuzat, ndërsa hetimet kanë shkaktuar përplasje mes prokurorisë dhe mazhorancës socialiste. Në mars të këtij viti, shumica parlamentare rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres.
Komunikimi i akuzave në tetor 2026 nuk u shoqërua me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të Ballukut, çka nxiti kritika nga opozita, e cila e akuzoi Prokurorinë për trajtim të diferencuar dhe kërkoi shpjegime për mungesën e një kërkese të re për arrestim.
Sipas SPAK-ut, historia e vilës në kompleksin White Rocks fillon në vitin 2014, kur Albcontrol drejtohej nga Belinda Balluku. Në nëntor të atij viti, institucioni hapi një tender për rikonstruksionin e godinës teknologjike me fond limit rreth 73.9 milionë lekë pa TVSH. Katër operatorë ekonomikë morën pjesë në garë me oferta që varionin nga 48.3 milionë deri në 72.4 milionë lekë.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i kryesuar nga Evis Berberi, skualifikoi tre ofertuesit e tjerë për mospërmbushje të kritereve teknike dhe dokumentare. Fitues u shpall “Eurocol”, e cila kishte ofertën më të lartë prej 72.3 milionë lekësh pa TVSH. Ky tender dhe roli i Berberit, i cili e vijoi karrierën në institucionet e drejtuara nga Balluku, japin një pasqyrë të një dekade tenderash të dyshuar si të manipuluar, që nga Albcontrol e deri te Ministria e Infrastrukturës dhe institucionet e varësisë.
Pas largimit nga Albcontrol, Berberi u emërua këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në qershor 2021 mori drejtimin e ARRSH-së. Në këtë detyrë, sipas hetimeve, Berberi zbatonte udhëzimet e Ballukut për procedurat e prokurimit, përfshirë tenderin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe. Komunikimet e sekuestruara nga telefoni i tij tregojnë se ai konsultohej me ministren për vendimet mbi tenderat e mëdhenj, ndërsa hetohet edhe për tenderë më të vegjël mbikëqyrjeje punimesh.
Ekspertimi kompjuterik i celularit të sekuestruar në banesën e Berberit ka shërbyer si një prej indicieve kryesore. Të dhënat e zbuluara treguan se kriteret e tenderit ishin, me gjasë, hartuar paraprakisht nga vetë kompania që do të shpallej fituese. Sipas vendimit, katër ditë përpara se Balluku të nxirrte urdhrin e prokurimit më 6 nëntor 2014, nga adresa zyrtare elektronike e “Eurocol”-it iu dërgua Berberit dokumenti me titull “Kriteret përfundimtare Albkontrolli (2)”. Kushtet e dërguara me email u kopjuan fjalë për fjalë nga Njësia e Prokurimit në dokumentet zyrtare të tenderit.
Hetimet zbuluan se një ditë pas shpalljes së garës, administratori i “Eurocol”-it, Pandeli Carapuli, dhe punonjësi i tij, Fejzi Kodra, shkëmbyen mesazhe. “Shiko u shpall ky i fundit. I madh”, i shkruante Carapuli, për të vijuar: “Ok të fillojmë përgatitjet”.
Kur dy kompani konkurruese paraqitën ankesa kundër kritereve kufizuese, Balluku e ngarkoi Berberin me shqyrtimin e ankesës së parë, ndërsa të dyja ankesat u rrëzuan. Po atë ditë, Carapuli i dërgoi me SMS punonjësit të tij numrin e celularit të Berberit: “Ky është numri i Visit”.
Në hapjen e ofertave më 8 dhjetor 2014, “Eurocol” u rendit e fundit mes katër konkurrentëve me ofertën më të shtrenjtë. Por tre ditë më vonë, komisioni i drejtuar nga Berberi skualifikoi të tre garuesit që kishin çmime më të ulëta, duke përdorur si arsye po ato kritere që kishte dërguar me email “Eurocol” para nisjes së garës.
Sipas prokurorisë, favorizimi vijoi edhe me lidhjen e kontratës dhe pagesat. Ende pa u publikuar fituesi në Buletinin e Prokurimeve Publike, Berberi i dërgoi “Eurocol”-it draftin e kontratës. Kontrata u nënshkrua nga Balluku dhe Carapuli më 30 dhjetor 2014, me një klauzolë parapagimi prej 50 për qind të vlerës totale. Vetëm një ditë më pas, më 31 dhjetor 2014, Albcontrol transferoi në llogarinë e “Eurocol”-it 43.4 milionë lekë me TVSH, ndonëse punimet nisën vetëm në shkurt 2015.
Një vit më vonë, në dhjetor 2015, përmes një procedure me negocim pa shpallje paraprake, ku komisioni drejtohej sërish nga Berberi dhe kishte anëtare Joana Bushin, Balluku i dha “Eurocol”-it një shtesë kontrate në kufirin maksimal prej 20 për qind, duke e çuar vlerën totale të paguar në afro 102 milionë lekë me TVSH.
Sipas prokurorisë, procedurat e prokurimit dhe marrëdhënia e krijuar mes drejtueses së institucionit dhe kompanisë përbëjnë sfondin e përfitimit të dyshuar korruptiv që u materializua më vonë në vilën F6. SPAK e lidh përfitimin me vendimmarrjen e Ballukut në Albcontrol, duke iu referuar “paracaktimit, krijimit të avantazheve dhe privilegjeve për shoqërinë fituese” të tenderit.
Vila e tipit “Begonia”, me sipërfaqe ndërtimi 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë të rrethuar prej të paktën 300 metrash katrorë, ishte sipas prokurorisë përfitimi i parregullt që Balluku mori në vitin 2018. “Ky përfitim i parregullt rezulton të jetë marrë nga shtetasja Belinda Balluku në vitin 2018”, shkruajnë prokurorët, duke iu referuar procedurës për blerjen e një vile nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.
Në dhjetor 2018, “Eurocol” lidhi një kontratë me Igli Taren për vilën F6 në kompleksin “White Rocks”, me çmim 145 mijë euro. Nga kjo shumë ishin paguar vetëm 70 mijë euro, ndërsa ekspertimi e vlerësoi pronën 420 mijë euro në kohën e kontraktimit, gati trefishi i çmimit të deklaruar.
Prokuroria pretendon se Tare kishte vepruar për llogari të Ballukut dhe se vila ishte shpërblim për favorizimin e ndërtuesit në tenderin e Albcontrol-it. Tare figuron si pronar edhe i një vile tjetër në kompleksin “Green Coast” në Palasë, të cilën SPAK e dyshon gjithashtu si pasuri të fshehur të Ballukut, në një episod tjetër që lidhet me tenderat e Unazës së Madhe. Tare i ka mohuar akuzat përmes të vëllait.
Për të fshehur pronësinë e vilës F6, në maj 2022 Tare lidhi një kontratë qiraje me Joana Bushin për 450 euro në muaj, shumë që u rrit në 600 euro në vitin 2024. Hetuesit gjetën dy dokumente për depozitimin e shumave prej 5400 eurosh secila nga Bushi në llogarinë e Tares, por arritën në përfundimin se marrëdhënia e qirasë ishte fiktive.
“Për të fshehur këtë pasuri, si produkt i veprës penale të korrupsionit, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare dhe vartësen e saj, shtetasen Joana Bushi,” arsyetojnë prokurorët.
Fiktiviteti i kontratës mbështetet kryesisht në provat e gjetura në vilë, komunikimet e drejtpërdrejta të Ballukut për ndërtimin e pishinës, si dhe komunikimet mes personave të tjerë të lidhur me të apo punonjësve të “Eurocol”-it. Ato përfshijnë referenca të qarta për “vilën e shefes”, ndërsa në një prej celularëve të ekspertuar u gjetën fotografi të një kutie të mbushur me para në euro, të cilën prokuroria e lidh me ambientet e vilës.
Fotografia u gjet në telefonin e pastrueses së familjes dhe ishte dërguar nga bashkëshorti i saj, i cili gjithashtu punonte në vilë. Në të shfaqet një kuti e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe të lidhura me llastik. Fotografia ishte dërguar përmes WhatsApp-it më 17 korrik 2021 dhe paratë ndodheshin “në dukje si në ambientet e vilës F6”.
SPAK e ka përfshirë fotografinë mes provave për përdorimin e pasurisë dhe marrëdhëniet e personave të lidhur me të, por nuk përcakton shumën totale të parave, origjinën e tyre apo personin të cilit i përkisnin.
Në disa komunikime Balluku shfaqet drejtpërdrejt. Më 3 prill 2020, Julian Kelo, ish-punonjës i Albcontrol-it, i dërgoi Ballukut një email me subjekt “Pishina”. “Mirëmengjes! Po të nis planet e pishinës”, shkruhej në email. Email-i iu përcoll më pas Viola Haxhiademit, një prej personave që ndiqte punimet dhe që kishte një vilë në afërsi. Sipas ekspertimit, investimet dhe mobilimi i vilës, përfshirë pishinën, u vlerësuan në rreth 9.8 milionë lekë.
Megjithëse prokuroria pretendon se vila ishte përfituar përmes korrupsionit, ndjekja penale për korrupsionin aktiv dhe shkeljen e barazisë në tendera në këtë rast është parashkruar për shkak të kalimit të afatit pesëvjeçar. Parashkrimi nuk e ka penguar SPAK-un të ngrejë akuzën për pastrim parash ndaj Ballukut dhe personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë.





