Amerikanët votojnë në zgjedhjet që mund të përcaktojnë kapitullin e fundit të presidencës së Trumpit

Me dy vjet të mbetura nga mandati i tij presidencial, Donald Trump po përballet me zgjedhje potencialisht vendimtare për të ardhmen politike të tij dhe të Partisë Republikane.

Zgjedhjet e mesmandatit, që mbahen të martën dhe në të cilat vendoset kontrolli mbi Kongresin amerikan, po zhvillohen në një moment të vështirë për republikanët, raporton BBC.

Shqetësimi kryesor i votuesve amerikanë mbetet kostoja e jetesës. Çmimet e ushqimeve dhe karburanteve janë rritur ndjeshëm, pjesërisht si pasojë e tarifave të larta tregtare të vendosura nga Trump dhe luftës jopopullore me Iranin. Këto çështje pritet të ndikojnë në vendimin e qytetarëve kur t’u drejtohen kutive të votimit.

Trump, i cili gjatë muajve të fundit ka regjistruar nivele historikisht të ulëta të miratimit nga qytetarët, ka zhvilluar një fushatë intensive, duke marrë pjesë në dhjetëra tubime në mbarë vendin.

Shqetësimet ekonomike po ndikojnë edhe në shtetet që tradicionalisht konsiderohen bastione të republikanëve. Kjo shpjegon edhe vizitat e Trumpit në Iowa dhe Kansas gjatë ditëve të fundit të fushatës.

Për më tepër, republikanët kanë shpenzuar qindra miliona dollarë për reklama elektorale edhe në gara që më parë konsideroheshin të sigurta për ta, përfshirë garën për Senatin në Kansas.

Carrie Dann, redaktore menaxhuese e organizatës Cook Political Report, e cila analizon fushatat dhe zgjedhjet, ka thënë për BBC-në se shpenzimet e mëdha në një shtet ku republikanët pritet të fitojnë janë tregues se partia është e shqetësuar për rezultatin.

Ajo ka theksuar se shpenzimet në Kansas do të jenë shumë më të larta sesa që republikanët kishin parashikuar, duke shtuar se kjo tregon se partia po hyn në këto zgjedhje në pozicion mbrojtës.

Në tubimet e tij, Trump u ka bërë vazhdimisht thirrje votuesve që ta konsiderojnë edhe atë pjesë të garës zgjedhore.

“Në këto zgjedhje, po ju kërkoj të pretendoni, ju lutem, se edhe unë jam kandidat në fletëvotim”, ka deklaruar ai muajin e kaluar, duke e përsëritur këtë mesazh edhe të dielën në Iowa.

Megjithëse emri i tij nuk do të jetë në fletëvotim, kjo thirrje ngre një pyetje të rëndësishme për republikanët: A është Trump ende një përparësi elektorale për partinë e tij?

Përgjigjja duket më e ndërlikuar sesa në të kaluarën.

Pas fitores së thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë si një figurë e fuqishme politike, me nivele të larta të miratimit nga qytetarët. Në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, mbështetja e tij kërkohej nga republikanët, të cilët e konsideronin vendimtare për suksesin e tyre.

Por, lufta me Iranin dhe ndikimi i saj në ekonominë amerikane kanë ndryshuar situatën. Çmimet e larta kanë rënduar buxhetet familjare, ndërsa popullariteti i presidentit ka rënë.

Çmimi i një galoni nafte, i cili para fillimit të luftës në shkurt ishte 3.75 dollarë, në shtator arriti nivelin rekord prej 6.52 dollarësh.

Një votues në Iowa i ka thënë BBC-së se djali i tij, gjatë një udhëtimi nëpër vend, e kishte telefonuar nga secili shtet për t’i treguar çmimet e karburanteve, të cilat i kishte cilësuar si tepër të larta.

Edhe inflacioni është rritur nga 3 për qind, sa ishte kur Trump mori detyrën, në 3.7 për qind aktualisht. Ekonomistët vlerësojnë se inflacioni do të ishte më i ulët pa tarifat e gjera tregtare që presidenti ka vendosur ndaj vendeve të ndryshme.

Kjo situatë ka shtuar shqetësimet brenda Partisë Republikane se kandidatët e saj mund të humbin edhe në gara që tradicionalisht konsideroheshin të sigurta, si në Texas, Ohio dhe Kansas.

Stephen Hawkins, drejtor global i hulumtimeve në kompaninë e sondazheve More in Common, ka thënë se shtetet jugore dhe ato të rajonit të Mesperëndimit, ku republikanët zakonisht kanë mbështetje të madhe, janë pikërisht vendet ku po zhvillohen garat më interesante për Senatin.

Sipas tij, disa shtete ku Trump fitoi me 10, 12 apo 15 pikë dallim në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, tashmë janë vende ku demokratët kanë mundësi reale të fitojnë një ulëse në Senat.

Gjatë bisedave me votuesit në Iowa, shtet që Trump e fitoi në vitin 2024 dhe që është prekur nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimike, BBC-ja ka vërejtur se një pjesë e republikanëve nuk e shohin më presidentin si faktor që ndihmon kandidatët e partisë.

Paul Ross, një votues republikan, ka thënë se në rrethanat aktuale, Trump mund të ketë ndikim negativ në mbështetjen për kandidatët republikanë.

Edhe votuesi Zach Shimp ka vlerësuar se prania e Trumpit në fushatë mund t’i largojë disa votues dhe njëkohësisht t’i mobilizojë demokratët.

Ndërkaq, votuesja Rose Heming ka kritikuar luftën me Iranin dhe rritjen e çmimeve.

“Ai na futi në luftë. Çmimet dhe ushqimet janë të shtrenjta, jashtëzakonisht të shtrenjta. Edhe karburantet janë shumë të shtrenjta”, ka deklaruar ajo.

Kjo është një prej çështjeve kryesore të këtyre zgjedhjeve: shumë votues, përfshirë edhe në shtetet ku republikanët tradicionalisht kanë mbështetje të fortë, po përballen me vështirësi ekonomike dhe sondazhet tregojnë se ata mund ta shprehin pakënaqësinë e tyre përmes votës.

Megjithatë, pakënaqësia ndaj Trumpit nuk nënkupton domosdoshmërisht një fitore të thellë të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat apo në garat për guvernatorë.

Një pjesë e votuesve republikanë janë të pakënaqur me presidentin, por kjo nuk do të thotë se janë të gatshëm të votojnë për kandidatët demokratë.

Sondazhet e fundit para zgjedhjeve tregojnë se miratimi për Trumpin është rreth 38 për qind. Megjithatë, sipas një sondazhi kombëtar të NBC-së, të publikuar të dielën, vetëm 29 për qind e votuesve kanë mendim pozitiv për Partinë Demokratike.

Kjo tregon se pakënaqësia me presidentin nuk përkthehet automatikisht në mbështetje për kundërshtarët e tij politikë.

Tim McKinnon, një republikan nga Iowa që votoi për Trumpin në vitin 2024, ka thënë se nuk është i kënaqur me ndërhyrjet e vazhdueshme të presidentit në çështjet ndërkombëtare.

Megjithatë, ai dhe bashkëshortja e tij kanë theksuar se pavarësisht pakënaqësive, ata vazhdojnë të mbështesin vlerat konservatore dhe të krishtera, të cilat, sipas tyre, nuk përfaqësohen nga demokratët.

Për këtë arsye, demokratët nuk mund të llogarisin automatikisht në votat e republikanëve të zhgënjyer nga Trumpi. Një pjesë e tyre mund të jenë kritikë ndaj vendimeve të presidentit, por kjo nuk do të thotë se do të kalojnë në anën e kundërshtarëve të tij.

Shija e redaktorit

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

Të fundit nga rubrika