Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet ruse në Zaporizhzhia, të paktën 26 të vrarë dhe pesë të plagosur në një qendër shpërndarjeje ndihmash



Të paktën 26 persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur të hënën, pasi forcat ajrore ruse ndërmorën disa sulme ndaj një shkolle që përdorej si qendër për shpërndarjen e ndihmave humanitare në rajonin e Zaporizhzhias, në jug të Ukrainës, përcjell DW.

Sulmet e njëpasnjëshme ndodhën në fshatin Komyshuvakha, rreth 35 kilometra në lindje të qytetit të Zaporizhzhias dhe afërsisht 12 kilometra larg vijës së frontit. Sipas raportimeve, avionët rusë hodhën më shumë se 10 bomba rrëshqitëse gjatë goditjeve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cilësoi sulmet si “tmerruese” dhe akuzoi Rusinë se e dinte se ndërtesa shërbente për qëllime humanitare.

“Pas goditjes së parë me bombë ajrore, pasoi një sulm i dytë me nëntë bomba të tjera, duke shënjestruar posaçërisht strehën ku njerëzit ishin futur për t’u mbrojtur”, shkroi Zelenskyy në rrjetet sociale.

Ai shtoi se forcat ruse nuk mund të mos e dinin se në atë vend banorët që kishin mbetur në Komyshuvakha merrnin ndihma humanitare çdo javë.