Një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e fruthit në shtetin e Nju Jorkut, duke shënuar viktimën e parë nga kjo sëmundje në shtet në 30 vitet e fundit. Lajmi u konfirmua të hënën nga autoritetet amerikane. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shprehu keqardhjen për ngjarjen, duke bërë të ditur se fëmija ishte nga qarku Lewis, pranë kufirit me Kanadanë. Ajo e cilësoi vdekjen një kujtesë të rëndë për rrezikun që paraqesin sëmundjet e parandalueshme përmes vaksinimit.

Në vitin 2000, autoritetet amerikane deklaruan se fruthi ishte eliminuar në vend falë vaksinimit. Megjithatë, vitet e fundit sëmundja është rikthyer, e nxitur nga rënia e normave të vaksinimit dhe shtimi i mosbesimit ndaj institucioneve shëndetësore. Që nga fillimi i këtij viti, në SHBA janë konfirmuar 4,834 raste me fruth. Në tetor, në shtetin e Nju Jorkut u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse, që shkakton temperaturë, probleme me frymëmarrjen dhe skuqje të lëkurës. Në rastet më të rënda mund të sjellë komplikacione si pneumonia dhe inflamacioni i trurit, të cilat mund të shkaktojnë pasoja afatgjata ose edhe vdekjen. Përpara zbulimit të vaksinës në fillim të viteve 1960, fruthi shkaktonte qindra viktima te fëmijët çdo vit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vijon të marrë dhjetëra mijëra jetë në mbarë botën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb