
Në një shtet ligjor, askush nuk ka të drejtë ta thotë këtë fjali. As kryeministri, as ministri, as kushdo tjetër, sado pushtet që të ketë. Burgu nuk është pronë e askujt që ta premtojë apo të kërcënojë me të. Heqja e lirisë së një individi vendoset vetëm nga një gjykatë e caktuar me ligj, duke zbatuar me përpikëri një proces të rregullt ligjor dhe mbi bazën e provave.
Nuk e di nëse kjo fjali është thënë apo jo me të vërtetë, pasi ka dy versione që e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe nuk më takon të zgjedh mes tyre. Por pikërisht për këtë arsye çështja është e rëndë në të dyja rastet.
Nëse është thënë, kemi të bëjmë me një ide të rrezikshme për të gjithë strukturën shtetformuese: që pushteti politik mund të vendosë se kush mbetet në burg dhe për sa kohë. Kjo e kthen drejtësinë në mjet ndëshkimi dhe çdo qytetar në peng të vullnetit të dikujt. Na kthen te praktika që besonim se i kishim lënë pas bashkë me diktaturën.
Nëse nuk është thënë, dhe gjithçka është një strategji e mirëmenduar për të paraqitur nesër procesin penal në fjalë si persekutim politik, edhe kjo e dëmton rëndë drejtësinë. E dëmton në heshtje, por jo më pak, sepse e bën të pabesueshme në sytë e qytetarëve dhe të institucioneve ndërkombëtare.
Në të dyja rastet humbet e njëjta gjë: besimi se në Shqipëri burgun dhe lirinë i vendos ligji, jo pushteti dhe as loja politike. Si avokat, kjo është e vetmja anë që di të mbaj dhe që do ta mbaj gjithmonë: ligji dhe e drejta. /Nga Anton KOSTERI, kryetar i Dhomës së Avokatisë Shkodër, publikuar në Facebook/




