29-vjeçari i mbijeton infarktit akut, Spahiu vlerëson punën e mjekëve të QSUT-së

Një 29-vjeçar që u paraqit në gjendje kritike në shërbimin e Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas një infarkti akut, ka arritur të shpëtojë dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku vlerësoi profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë të ekipit të Hemodinamikës në QSUT.
Sipas ministres, gjendja e të riut ishte tepër e rëndë në momentin e mbërritjes në spital, ndërsa mjekët u detyruan të kryenin 15 goditje elektrike për ta stabilizuar atë. Më pas, ekipi mjekësor realizoi një ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e arteries kryesore të zemrës, duke bërë të mundur shpëtimin e jetës së pacientit.
Aktualisht, 29-vjeçari po kalon fazën e rikuperimit dhe vijon të mbahet nën kujdesin e mjekëve specialistë.
Në reagimin e saj, Spahiu shprehu mirënjohje për mjekët dhe stafin që morën pjesë në ndërhyrje.
“Mirëmëngjes nga Kardiologjia e QSUT-së, ku profesionalizmi dhe ndërhyrja në kohë shpëtuan jetën e një 29-vjeçari, i paraqitur në gjendje kritike si pasojë e një infarkti akut dhe sot është jashtë rrezikut për jetën, falë ndërhyrjes së suksesshme të ekipit të Hemodinamikës. Pas 15 goditjeve elektrike dhe ndërhyrjes urgjente për zhbllokimin e arteries kryesore të zemrës, i riu po rikuperohet nën kujdesin e mjekëve”, shkroi ministrja.
Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë mjekët Donald Mançe dhe Gentian Mehmeti, si dhe të gjithë ekipin mjekësor që kontribuoi në trajtimin e të riut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




