Bota Travel

Pesë udhëtime magjike me tren në Britaninë e Madhe për adhuruesit e Harry Potter-it!

Treni Hogwarts Express, i realizuar në film me lokomotivën me avull Olton Hall, u bë një nga simbolet më të njohura të sagës së Harry Potter-it. Megjithëse bota e magjisë e përshkruar në librat edhe filmat është imagjinare, shumë prej vendeve ku zhvillohen ngjarjet ekzistojnë.

Rail Europe ka përzgjedhur pesë destinacione në Britaninë e Madhe që u japin mundësi turistëve të ndjekin gjurmët e Harry Potter.

Platforma 9¾, Londër

Asnjë udhëtim i frymëzuar nga Harry Potter nuk mund të quhet i plotë pa një ndalesë në stacionin King’s Cross të Londrës. Vizitorët mund të bëjnë fotografi pranë karrocës së famshme të bagazheve që duket sikur zhduket në mur.

Nga ky stacion nisen trenat drejt veriut të Anglisë, përfshirë Durham dhe Yorkshire, dy destinacione të lidhura me filmat.

Studiot Warner Bros., Hertfordshire

Pranë Londrës, Warner Bros. Studio Tour organizon aktivitetin “Hogwarts in the Snow”, nga 14 nëntori 2026 deri më 17 janar 2027. Skenografitë origjinale shndërrohen në peizazhe dimërore, me dëborë dhe dekorime festive.

Për të mbërritur, udhëtarët marrin trenin nga London Euston drejt Watford Junction dhe më pas autobusin e studiove. Biletat e hyrjes rezervohen veçmas.

Glenfinnan, Skoci

Një nga pamjet më të famshme të filmave është treni Hogwarts Express që kalon mes maleve skoceze.

Viadukti Glenfinnan është një atraksion real dhe mund të përjetohet edhe me trenat e zakonshëm ScotRail, që lidhin Fort William me Mallaig. Linja ofron disa nga panoramat më mbresëlënëse të Skocisë.

Oksford, Angli

Rrugicat historike, kolegjet shekullore dhe sallat madhështore të Oksfordit shërbyen si mjedise të shkollës Hogwarts.

Divinity School, pjesë e Bibliotekës Bodleian, u përdor si infermieria e shkollës, ndërsa Biblioteka Duke Humfrey dhe shkallët e kolegjit Christ Church u shfaqën në filma.

Oksfordi ndodhet rreth 45 minuta me tren nga Londra, duke qenë një destinacion i përshtatshëm për një vizitë ditore.

Durham, Angli

Katedralja madhështore e Durhamit, me arkitekturën normane dhe korridoret prej guri, u përdor për disa skena të Hogwarts.

Në oborrin e saj u xhirua skena ku Harry lëshon në fluturim bufin Hedwig, ndërsa salla Chapter House shërbeu si klasa e profesoreshës McGonagall.

Përveç historisë së filmit, qyteti ofron shëtitje përgjatë lumit dhe rrugica mesjetare. Udhëtimi me tren nga Londra zgjat rreth tri orë.

Goathland, Yorkshire

Stacioni Goathland, në North Yorkshire, u shfaq si stacioni Hogsmeade në filmin e parë të Harry Potter.

Ai është pjesë e hekurudhës historike North Yorkshire Moors Railway, që përshkon peizazhe kodrinore dhe natyrore.

Vizitorët mund të përdorin Whitby ose Grosmont si pika nisjeje. Trenat historikë funksionojnë sipas sezonit, ndaj rekomandohet kontrollimi paraprak i orareve. /Monitor