
Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, ka komentuar disa nga çështjet më të diskutuara në futbollin spanjoll, duke mos kursyer kritikat ndaj Real Madridit. Nga polemikat për kalendarin e ndeshjeve dhe penalltinë e akorduar për Kylian Mbappén, te çështja Negreira dhe televizioni zyrtar i madrilenëve, Tebas ka dhënë qëndrimet e tij.
“Si tifoz, nga këndvështrimi im, nuk mendoj se ishte penallti. Por pse nuk ndërhyri VAR-i? Kjo pyetje duhet t’i drejtohet kreut të Komitetit Teknik të Arbitrave. Ndoshta gjyqtarët kanë gabuar, por VAR-i duhej të ndërhynte të paktën, pasi aksioni dukej si një faull i qartë”, u shpreh Tebas.
Kreu i La Liga-s iu përgjigj edhe kritikave të José Mourinhos për kalendarin e ngjeshur të Real Madridit. Trajneri portugez kishte ngritur shqetësime për organizimin e ndeshjeve, por Tebas i sugjeroi që përgjigjen ta kërkonte te drejtuesit e klubit madrilen.
“Duhet të pyesë Emilio Butragueñon, sepse ai do t’ia shpjegojë çështjen. Kur ka një datë të lirë, gjërat organizohen, ndërsa kur nuk është e mundur, nuk mund të realizohen. Ai e njeh mirë këtë situatë nga përvoja e tij në Premier League, ku ka luajtur ndeshje me një diferencë prej jo më shumë se 48 orësh”, deklaroi presidenti i La Liga-s.
Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur Negreira, që prej kohësh ka tronditur futbollin spanjoll, Tebas përdori një deklaratë ironike, duke iu referuar ndikimit që kjo çështje ka pasur në debatin për arbitrimin.
“Duket sikur Negreira është i pranishëm në dhomat e zhveshjes së arbitrave gjatë ndeshjeve të tyre”, u shpreh ai.
Në fund, presidenti i La Liga-s sulmoi edhe televizionin zyrtar të Real Madridit, duke e akuzuar klubin se kundërshton vazhdimisht iniciativat e institucionit që ai drejton.
Sipas Tebasit, qëndrimet e madrilenëve po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në lidhje me të drejtat televizive, duke prekur jo vetëm La Liga-n, por edhe klubet e tjera spanjolle.
