Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se, pavarësisht akuzave ndaj këtij të fundit, të drejtat e tij si i paraburgosur duhet të respektohen. Në një reagim në “Facebook”, Blushi shprehet se nuk i intereson fati politik apo personal i Veliajt, ndaj të cilit thotë se ka mbajtur qëndrime të forta kundërshtuese dhe ka denoncuar modelin e tij të qeverisjes në Bashkinë e Tiranës. Ai përmend ndër të tjera çështjen 5D, shembjen e Teatrit Kombëtar, vdekjen e Ardit Gjoklajt, trajtimin e tregtarëve ambulantë dhe betonizimin e kryeqytetit.
Megjithatë, sipas Blushit, asnjë prej këtyre qëndrimeve nuk mund të justifikojë cenimin e të drejtave ligjore të një personi që ndodhet në paraburgim. Ai thekson se paraburgimi nuk është dënim dhe se Veliaj duhet të ketë akses te avokati, familja, komunikimi dhe të gjitha garancitë që i njeh ligji.
Blushi e lidh reagimin e tij me zhvillimet e fundit mes Ramës dhe Veliajt, duke pretenduar se ky i fundit po përballet me presion politik pasi ka nisur të flasë kundër kryeministrit. Sipas tij, institucionet nuk duhet të përdoren për hakmarrje ndaj atyre që kthehen në kundërshtarë të pushtetit. Në përfundim, Blushi nënvizon se nuk kërkon që Veliaj të shpëtojë nga drejtësia, por që përgjegjësitë e tij të hetohen dhe të gjykohen në përputhje me ligjin, pa presion apo hakmarrje politike.
REAGIMI
𝐌𝐀𝐅𝐈𝐀 𝐏𝐎 𝐇𝐀 𝐊𝐎𝐊𝐀𝐓 𝐄 𝐕𝐄𝐓𝐀, 𝐏𝐎𝐑 𝐓𝐄̈ 𝐃𝐑𝐄𝐉𝐓𝐀𝐓 𝐄 𝐍𝐉𝐄𝐑𝐈𝐔𝐓 𝐍𝐔𝐊 𝐌𝐔𝐍𝐃 𝐓𝐄̈ 𝐁𝐄̈𝐇𝐄𝐍 𝐏𝐉𝐄𝐒𝐄̈ 𝐄 𝐆𝐎𝐒𝐓𝐈𝐒𝐄̈
Nuk më intereson aspak fati politik apo personal i Erion Veliajt.
Kam protestuar kundër tij dhe modelit korruptiv 5D që ndërtoi. E kam “arrestuar” live në Këshillin Bashkiak të Tiranës për krimet e rënda ndaj kryeqytetit dhe banorëve të tij.
Kam denoncuar lidhjet dhe ortakërinë e tij me Ndrangheta-n, barbarinë ndaj hapësirave publike, shkatërrimin sistematik të trashëgimisë historike, betonizimin e kryeqytetit dhe lejet e ndërtimit që e shndërruan Tiranën në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave të pista dhe në një kantier të pafund interesash mafioze.
Nuk tërhiqem nga asnjë prej qëndrimeve të mia publike dhe politike kundër tij. Asnjë presje nuk heq.
Sepse nuk mund ta harroj jetën e humbur të Ardit Gjoklajt. As shembjen brutale të Teatrit Kombëtar. As lotët e Nënë Lizës. As gjobat arbitrare dhe dhunën barbare që nuk kursente as tufat e qepëve e të majdanozit të shitura në trotuaret e Tiranës.
As llumin e propagandës së tij me “kaseta të gatshme”, po aq të fëlliqur sa edhe agresiv, që kulmoi me kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mbylljen e televizioneve. As këtë histori nuk mund ta lajë e ta shpëlajë as uji i pijshëm 24 orë që, sipas propagandës së tij, “mundësoi”.
Nuk harroj as kolegët e mi në Këshillin Bashkiak, që u blenë prej tij dhe u detyruan të lëpinin pështymën që vetë ia kishin përplasur në fytyrë për vite me radhë. Njësoj si ai qenushi që u detyrua me dhunë të fotografohej me Veliajn, duke i lëpirë fytyrën.
Nuk ka kaluar aq shumë kohë sa të na zërë amnezia. Krimet e Veliajt janë të gdhendura në çdo cep të Tiranës. Edhe sikur të duash t’i harrosh, ato të dalin përpara sapo kalon pragun e shtëpisë.
Megjithatë, një “meritë” duhet t’ia njohim.
Falë oksigjenit që çliron çdo ditë Pylli Orbital që “ndërtoi” dhe “pastërtisë” së inceneratorit fantazmë që mori udhë prej tij, sot mund të shohim shumë më qartë atë që po ndodh.
Erion Veliaj nuk u arrestua sepse ishte shenjtor. Por as Pastori që e kurorëzoi në martesë nuk shkoi të premten në burg për t’ia pastruar shpirtin, përpara se t’i “pritej koka” në gijotinën e ngritur kundër tij.
Akuza e Shtetit nuk e arrestoi për asnjë nga krimet që i janë denoncuar publikisht. Përkundrazi, e amnistoi nga të gjitha, ndonëse e izoloi në qeli.
Sot, Erion Veliaj po varet në pemën që mbolli vetë, me farën e Edi Ramës dhe në tokën që ky i fundit ia vuri në dispozicion.
Por, pavarësisht gjithçkaje, ekziston një parim që nuk negociohet dhe nuk mund të vihet në pazar.
Erion Veliaj duhet të gëzojë të gjitha të drejtat që ligji i garanton gjatë qëndrimit në paraburgim.
Dhe kjo bëhet edhe më e rëndësishme pikërisht tani, kur Veliaj ka nisur të flasë kundër Edi Ramës.
Nuk ka asnjë rëndësi nëse po e bën nga bindja, nga interesi personal apo nga instinkti i mbijetesës.
Nuk ka rëndësi as nëse kemi të bëjmë me një përplasje të sinqertë mes dy ish-aleatësh, që tashmë po nxjerrin në shesh të palarat e njëri-tjetrit.
Thelbi është shumë më i rëndësishëm. Askush nuk mund të përdorë pushtetin politik për t’i mohuar një të paraburgosuri të drejtat që i garanton ligji, vetëm sepse ai është kthyer në kundërshtar politik.
Dhe pikërisht këtu historia merr përmasa të mirëfillta mafioze.
Së pari, na pëlqen apo jo, Erion Veliaj është Kryetari në Detyrë i Bashkisë së Tiranës. Këtë status ia ka njohur edhe gjykata me vendim, pavarësisht gjendjes së tij juridike aktuale.
Pra, kemi të bëjmë me një mandat që i përket atij dhe që duhet të ushtrohet prej tij. Ai nuk mund t’i delegohet askujt tjetër.
Statusi i të paraburgosurit nuk e privon nga ato të drejta që nuk i janë kufizuar shprehimisht me ligj apo me vendim gjykate. Përkundrazi, autoritetet penitenciare kanë detyrimin t’ia garantojnë ato, pa diskriminim dhe pa asnjë lloj arbitrariteti.
Kështu funksionon një shtet ku drejtësia buron nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, jo nga lumi i Lanës.
Por kërcënimi ndaj Erion Veliajt brenda një zyre shteti, e jo më brenda qelisë së tij, është thellësisht alarmant.
Edhe në historitë më mafioze të Cosa Nostra-s, të arrestuarit e organizatës kishin mënyrat e tyre për të marrë “haber” nga jashtë burgut, përmes njerëzve të tyre ose, në rastin më të keq, përmes gardianëve të korruptuar.
Por në një shtet të kapur nga mafia, si ky i yni, duket se kemi kapërcyer edhe kufijtë e imagjinatës.
Edi Rama, në cilësinë e Kreut të Organizatës Kriminale, nuk ka më nevojë të dërgojë haber në burg përmes gardianëve. Mjafton t’ia përcjellë drejtpërdrejt ministri i Drejtësisë.
Pra, mafia nuk ka më nevojë të depërtojë në institucione. Ato janë shndërruar tanimë në vegla të saj.
Sot mafia po ha kokat e veta.
Ata që dje ndanin pushtetin, propagandën dhe përfitimet, sot po ndajnë akuzat, përgjegjësitë dhe kërcënimet.
Ata që dikur rrinin në të njëjtën tryezë, sot po përpiqen të shpëtojnë duke fundosur njëri-tjetrin.
Le të vazhdojnë. Nuk kemi asnjë arsye të derdhim lot për shpërbërjen e kësaj aleance.
Por ka një gjë që duhet ta nxjerrim jashtë kësaj lufte mafioze, sepse nuk mund të bëhet pjesë e pazareve dhe as e hakmarrjes së tyre.
Të drejtat e njeriut nuk janë pronë e asnjërit prej tyre.
Veliaj nuk ka pse të jetë i pafajshëm për të pasur të drejta. Nuk ka pse të jetë i heshtur, i bindur apo viktimë politike për t’u trajtuar me dinjitet.
Nuk ka pse të jetë “fedele” ndaj Organizatës Mafioze për të pasur akses te avokati, familja, komunikimi dhe të gjitha garancitë ligjore që i takojnë një të paraburgosuri.
Paraburgimi nuk është dënim. Aq më pak mund të shndërrohet në instrument persekutimi politik.
Akuzat nuk janë vendime gjykate. Dhe Kryeministri nuk është pronar i të drejtave të atyre që ndodhen në burg.
Unë nuk dua që Veliaj të shpëtojë nga drejtësia.
Dua që drejtësia të mos sillet as si Edi Rama, madje as si Veliaj kur ishte në pushtet.
Dua që të gjitha përgjegjësitë e Erion Veliajt të hetohen, të provohen dhe të ndëshkohen në përputhje me ligjin.
Por dua edhe që ai të mos shndërrohet në objekt të hakmarrjes, persekutimit politik, presionit apo arbitraritetit të atij me të cilin deri dje ndante pushtetin.
Mafia le të hajë kokat e veta! Le të nxjerrin njëri-tjetrin në pritë! Le të zbulojnë pazaret, aferat dhe pisllëqet që deri dje i ndanin në heshtje.
Nuk kam asnjë arsye të ndërhyj në luftën e tyre mafioze për mbijetesë.
Por Veliaj duhet të gëzojë të gjitha të drejtat që i takojnë në paraburgim.
Jo sepse i meriton politikisht. Jo sepse i besojmë. Jo sepse kemi harruar çfarë ka bërë.
Por sepse të drejtat e njeriut nuk janë shpërblim për besnikët dhe të bindurit. Nuk janë privilegj për të pafajshmit dhe as dhuratë për miqtë e pushtetit.
Ato janë kufiri që ndan drejtësinë nga hakmarrja politike.
Nuk dua që Veliaj të shpëtojë nga drejtësia.
Dua që drejtësia të mos jetë kurrë më një kallashnikov, një kamzhik apo një instrument ndëshkimi në duart e Edi Ramës kundër kujtdo që guxon të dalë kundër tij.
Një shtet që i trajton të drejtat si privilegj për miqtë dhe si ndëshkim për armiqtë, nuk është shtet i së drejtës.
Është thjesht një organizatë mafioze që ka marrë peng të gjithë shtetin.
Nëse pranojmë që Edi Rama të vendosë se kush meriton të drejta dhe kush jo, atëherë kemi marrë fund.
Edi Rama nuk duhet lejuar kurrë, me asnjë çmim, të vendos se kush duhet të jetojë, kush duhet të heshtë dhe kush duhet të kalbet në burg.
Unë dua që Veliaj të përballet me drejtësinë për gjithçka që ka bërë.
Por dua edhe që, kur të dalë para saj, të mos ketë asnjë mundësi të thotë se u trajtua ashtu siç i trajtonte ai kritikët e tij nga zyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Sepse kjo do të ishte fitorja më e madhe e tij dhe humbja më e madhe e të gjithëve.
Fitorja jonë e vërtetë nuk është as shpëtimi i Veliajt dhe as fundosja e tij, por shporrja njëherë e mirë e Edi Ramës dhe çlirimi i Shqipërisë nga një organizatë kriminale që ka kapur shtetin dhe e ka kthyer atë në një instrument të mafies.
