Përshkallëzohet lufta Rusi-Ukrainë/ Dronët ukrainas godasin rafinerinë pranë Moskës, raketat ruse plagosin 62 persona në Kharkiv
Ushtria amerikane ka kryer sulme të kufizuara ndaj objektivave në ishullin iranian të Keshmit, në atë që zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar si një operacion mbrojtës për garantimin e sigurisë së forcave dhe aseteve amerikane në rajon.
Sipas tre zyrtarëve amerikanë, të cilët folën për CNN në kushte anonimiteti, sulmet u ndërmorën të hënën, pasi Irani kishte qëlluar drejt një avioni amerikan.
Njëri prej zyrtarëve bëri të ditur se operacioni nuk ishte pjesë e një fushate të gjerë ushtarake kundër Iranit, por një veprim i kufizuar në përgjigje të përdorimit të raketave tokë-ajër nga ana e forcave iraniane kundër aseteve amerikane.
“Ky ishte një veprim mbrojtës, pasi iranianët përdorën raketa tokë-ajër kundër aseteve amerikane”, deklaroi një tjetër zyrtar për CNN.
Megjithatë, zhvillimi i fundit tregon se situata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet e pazgjidhur dhe se mundësia e rifillimit të përplasjeve ushtarake është ende e pranishme.
Një person i njohur me çështjen tha se administrata amerikane kishte zgjedhur të mos e bënte publike menjëherë goditjen, për të shmangur paraqitjen e saj si një operacion më i madh ushtarak sesa ishte në të vërtetë.
Shpërthimet – Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se disa shpërthime u dëgjuan në ishullin e Keshmit në orët e para të mëngjesit të së martës, sipas orës lokale.
Shpërthimet u dëgjuan gjithashtu nga banorët e ishullit Hengam dhe të qytetit portual Bandar Abbas, të dyja zona pranë Ngushticës së Hormuzit.
Gjatë javës së fundit, Irani ka pretenduar se ka shënjestruar disa dronë amerikanë në rajon. Të hënën në mbrëmje, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte rrëzuar dy dronë amerikanë zbulimi mbi ishullin e Keshmit.
Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse ky pretendim lidhet drejtpërdrejt me sulmet amerikane. Sipas raportimeve të tjera, pala amerikane ka kundërshtuar pretendimet për rrëzimin e dronëve.
Ishull strategjik – Ishulli i Keshmit ndodhet rreth 22 kilometra larg Bandar Abbasit dhe ka një rëndësi të veçantë strategjike për Iranin, veçanërisht për kontrollin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Kjo ngushticë është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Përpara luftës, përmes saj kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë, duke e bërë çdo ndërprerje të lëvizjes detare një kërcënim serioz për tregjet ndërkombëtare të energjisë. Shtetet e Bashkuara kanë goditur më parë objektiva në këtë ishull gjatë konfliktit.
Marrëveshjeje me Iranin – Sulmet e fundit vijnë në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se negociatat diplomatike me Teheranin mund të japin rezultate.
Të hënën, përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump deklaroi se një marrëveshje me Iranin “mund të arrihet”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian ka bërë të ditur se Teherani po ofron rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, nëse arrihet një marrëveshje.
Gjatë një interviste për Fox News, Trump nuk komentoi drejtpërdrejt raportimet për sulmet e reja në Iran, por la të kuptohet se SHBA mund të godasë edhe objektivin e njohur si “Mali Pickaxe”, një strukturë nëntokësore bërthamore për të cilën Izraeli dyshon se strehon një pjesë të rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar dhe pajisje të avancuara për pasurimin e tij.
“Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe. Mund ta bëjmë fjalë për fjalë brenda një ore, sa herë që të dëshirojmë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan e ka përmendur disa herë mundësinë e një sulmi ndaj këtij objekti që prej fillimit të luftës.
Kundërpërgjigja – Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili po drejton negociatat me Shtetet e Bashkuara, lëshoi një paralajmërim të ri në orët e para të së martës.
“Populli iranian nuk do t’i nënshtrohet kërcënimeve dhe veprimeve ushtarake të armikut”, deklaroi ai, duke shtuar se përgjigjja ushtarake dhe strategjike e Iranit ndaj çdo gabimi të kundërshtarit do të jetë e paparashikueshme.
Të shtunën, udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, paralajmëroi se çdo sulm i madh i ri do të përballej me një kundërpërgjigje “pa kufizime gjeografike”.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i sigurisë në Teheran i tha CNN se Irani mund të shënjestrojë edhe infrastrukturë përtej objekteve të naftës, përfshirë sektorin e inteligjencës artificiale.
Negociatat – Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi të hënën se Uashingtoni dhe Teherani kanë bërë përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
“Iranianët janë gjithmonë disi të paparashikueshëm dhe, siç thotë gjithmonë presidenti, ai i ka në dispozicion opsionet ushtarake dhe ato jo ushtarake. Por sigurisht që kemi bërë përparim. Do të shohim nëse mund të bëjmë edhe më shumë”, u shpreh Vance.
Ai shtoi se kishte biseduar pak më parë me presidentin Trump për situatën dhe se të dy ishin optimistë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.
Rriten çmimet e naftës – Lajmi për goditjet në ishullin e Keshmit ndikoi menjëherë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e naftës shënuan rritje në orët e para të tregtimit në Azi.
Përpara raportimeve për sulmet, çmimet e naftës kishin qenë në rënie, ndërsa investitorët ndiqnin me vëmendje zhvillimet e negociatave diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit.
Top Channel