Akuzat për lidhje me krimin dhe korrupsionin kanë qenë në qendër të përballjes së kryeministrit Edi Rama me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, në një reportazh të televizionit britanik “Channel 5”, kushtuar protestave të “Flamingove” në Shqipëri.
Gjatë intervistës, Rama u pyet për akuzat që rëndojnë mbi qeverisjen e tij lidhur me krimin dhe korrupsionin. Sipas materialit të publikuar, kryeministri u vu në vështirësi nga pyetjet dhe në vijim vendosi të largohej, duke ndërprerë intervistën.
Në të njëjtin reportazh foli edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila ngriti shqetësimin për projektin e planifikuar në Zvërnec dhe ndikimin e mundshëm në një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë mjedisore.
Koçeku kritikoi mungesën e konsultimit me qytetarët, duke theksuar se bëhet fjalë për një hapësirë me biodiversitet unik, habitate të specieve të rrezikuara dhe monumente natyrore që janë formuar përgjatë shekujve.
Sipas deputetes, kjo zonë po vihet nën presionin e investitorëve të huaj, pa u marrë më parë mendimi i banorëve dhe qytetarëve për një projekt me rëndësi kombëtare.
“Kjo po ndodh në Zvërnec, bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare, që lidhet me një zonë të mbrojtur, një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë Mesdheun. Kjo zonë karakterizohet nga një biodiversitet unik dhe habitate të veçanta që strehojnë specie të rrezikuara. Pra, e gjithë kjo po ndodh në një hapësirë kaq të veçantë, e cila përmban monumente natyrore për krijimin e të cilave janë dashur shekuj, por që tani gjendet papritur nën presionin e investitorëve të huaj, pa u marrë fare mendimi i njerëzve”, ka deklaruar deputetja.
