Bota

Pse konsiderohen test për Trump-in zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin?

Zgjedhjet e sotme të mesmandatit për Kongresin Amerikan, tradicionalisht konsiderohen “test” për presidentin amerikan, pasi u japin votuesve mundësinë të shprehin qëndrimin e tyre ndaj politikave të tij.

Historikisht, partia e presidentit shpesh humbet vende në Kongres gjatë këtyre zgjedhjeve. Këtë vit, Trump është një faktor i rëndësishëm në vendimin e votuesve.

Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew, 63% e zgjedhësve të regjistruar thonë se shefi i Shtëpisë së Bardhë është faktor në votën e tyre për Kongresin.

Nga të gjithë votuesit e regjistruar të anketuar, 44% thonë se vota e tyre është kundër Trump-it, ndërsa 19%, se është në mbështetje të tij.

Ndërkohë, ekonomia mbetet në krye të shqetësimeve.

I njëjti sondazh, i zhvilluar nga 28 shtatori deri më 4 tetor, tregon se 84% e votuesve të regjistruar e konsiderojnë atë shumë të rëndësishme për votën e tyre.

Kostoja e jetesës, përfshirë çmimet e ushqimeve, banimit, energjisë dhe kujdesit shëndetësor, ka qenë në qendër të debatit elektoral.

Një tjetër çështje që ndan dy partitë është emigracioni

Republikanët mbështesin politikat e ashpra të administratës Trump për kontrollin e kufijve, ndërsa demokratët kritikojnë mënyrën e zbatimit të tyre dhe pasojat për emigrantët.

Edhe lufta me Iranin ka hyrë në debatin zgjedhor, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe pakënaqësive me mënyrën si administrata Trump e ka menaxhuar konfliktin.