Administrata Trump planifikon t’u kërkojë aleatëve në NATO, të rrisin fondet për furnizimin dhe dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë këtë muaj, sipas një informacioni të raportuar nga Bloomberg.
Nisma vjen teksa marrëdhëniet midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbeten të tensionuara e ndërsa një raund i ri negociatash paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin amerikan, po përgatitet për në datat 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.
Duke cituar burime me njohuri për planet e Uashingtonit, Bloomberg raporton se administrata amerikane synon t’u kërkojë shteteve anëtare të Aleancës një kontribut më të madh financiar në programin e furnizimit me armë për Kievin.
Nëse konfirmohet, informacioni sugjeron që administrata Trump po kërkon të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke ia kaluar më shumë barrën ekonomike aleatëve europianë.