Studentët vijojnë protestën e tyre, ndërsa përmes pankartave kanë përcjellë mesazhe të forta kundër akuzave për ndikime të huaja dhe largimit të të rinjve nga vendi.
“Nuk na solli Rusia, nuk na solli Greqia, nuk na solli Veliaj, nuk na solli Partia, na thirri Shqipëria”, shkruhet në një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.
Me këtë mesazh, të rinjtë kundërshtojnë pretendimet se lëvizja e tyre nxitet nga faktorë të jashtëm apo interesa politike, duke theksuar se protesta buron nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Një tjetër pankartë përcjell shqetësimin për emigrimin e të rinjve: “Diploma nuk është biletë emigrimi”, ndërsa studentët vijojnë t’u bëjnë thirrje kolegëve të tyre të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës.
Përmes këtyre mesazheve, studentët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që e ardhmja e të rinjve të mos lidhet me largimin nga Shqipëria.
