Aktualitet

Transferimi i aseteve në energji, përfshihen pikat e karikimit!

Operatorët e depozitimit të energjisë elektrike dhe të pikave të karikimit të automjeteve elektrike do të përfshihen shprehimisht në rregullat për transferimin e aseteve, ndërsa kompanitë e sektorit do t’u nënshtrohen procedurave të rishikuara për shitjen, dhënien me qira, hipotekimin apo transferimin e infrastrukturës që përdorin në aktivitetin e tyre.

Ndryshimet parashikohen në një draft-rregullore të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), të nxjerrë për konsultim në zbatim të ligjit të ri nr. 59/2026 “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Detyrimi për miratim paraprak nga ERE ekziston edhe aktualisht, sipas rregullores së vitit 2016. Drafti i ri zgjeron fushën e zbatimit dhe detajon kushtet e përjashtimit, dokumentacionin dhe kriteret për shqyrtimin e transaksioneve. Pragu i përgjithshëm i përjashtimit mbetet 150 milionë lekë.

Kompanitë mund të transferojnë asete deri në këtë vlerë pa miratim paraprak, me kusht që transaksioni të mos cenojë përmbushjen e detyrimeve të licencës, vazhdimësinë e shërbimit dhe sigurinë e furnizimit.

Për hidrocentralet me kapacitet të instaluar nën 5 MW, miratimi kërkohet kur vlera e aseteve që transferohen tejkalon 50 milionë lekë. Drafti parashikon gjithashtu masa kundër ndarjes së transaksioneve për të shmangur pragjet e miratimit.

Përjashtimi nuk zbatohet për transaksione të ndara artificialisht me qëllimin ose efektin e shmangies së pragut të miratimit, përcakton dokumenti.

ERE mund t’i trajtojë si një transaksion të vetëm veprimet e lidhura sipas palëve, objektit, kohës ose qëllimit ekonomik. Kompanitë që kërkojnë miratim duhet të paraqesin vlerën e detajuar të aseteve, marrëveshjen ndërmjet palëve, pasqyrat financiare dhe vlerësimin e ndikimit të transferimit në aktivitetin e licencuar.

Për shoqëritë koncesionare ose asetet që lidhen me marrëveshje zhvillimi me shtetin, kërkohet edhe dokumentacioni kontraktor dhe prova e njoftimit ose miratimit nga autoriteti shtetëror, kur kjo parashikohet.

Një tjetër element i rregullores është vlerësimi i ndikimit të transaksioneve te konsumatorët. ERE do të shqyrtojë ndryshimet e mundshme në tarifat e rregulluara, kostot e rrjetit dhe mundësinë e kalimit të tyre te klientët.

Shqyrtimi synon të verifikojë se transaksioni nuk cenon sigurinë dhe vazhdimësinë e shërbimit, të drejtat e klientëve, kushtet e licencës, thuhet në draft.

Afati i vendimmarrjes parashikohet 45 ditë pune nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Në rast dokumentacioni të paplotë, aplikuesi ka 15 ditë pune nga marrja e njoftimit për plotësimin e tij.

Bordi i ERE-s mund ta miratojë transferimin me kushte ose ta refuzojë nëse rrezikohet përmbushja e detyrimeve të licencës.

Pas realizimit të transaksionit, kompanitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës brenda 30 ditëve kalendarike, përveç rasteve kur vendimi përcakton një afat tjetër.