Tuesday / November 3 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Të Tjerat nga Bota

Australia rrit interesat në nivelin më të lartë në 18 vjet, inflacioni sfidon bankën qendrore

Share Share Icon

Banka Qendrore e Australisë rriti të martën normën bazë të interesit në nivelin më të lartë që prej vitit 2008, duke vijuar përpjekjet për të frenuar inflacionin, edhe pse ekonomia po shfaq shenja ngadalësimi dhe tregu i punës po dobësohet.

Norma bazë u rrit me 0.25 pikë përqindjeje, në 4.85%, duke shënuar rritjen e pestë gjatë vitit 2026. Megjithatë, vendimi u miratua me gjashtë vota pro dhe tri kundër, një ndarje që ka shtuar pritshmëritë se banka qendrore mund të jetë pranë përfundimit të ciklit të shtrëngimit monetar.

Sipas Reuters, banka hoqi nga deklarata e saj formulimin e mëparshëm që përmendte mundësinë e rritjeve të tjera të normës së interesit. Ndryshimi u interpretua nga tregjet si një sinjal se autoritetet monetare mund të zgjedhin të presin përpara se të ndërmarrin veprime të reja.

Dollari australian u dobësua me rreth 0.3%, në 0.6977 dollarë amerikanë, ndërsa investitorët forcuan pritshmëritë se norma bazë do të mbetet e pandryshuar në mbledhjen e dhjetorit.

Guvernatorja Michele Bullock tha se drejtimi i ardhshëm i politikës monetare mbetet i pasigurt. Tre anëtarët që kundërshtuan rritjen e normës së interesit i kishin kushtuar më shumë rëndësi rreziqeve të ngadalësimit ekonomik, sidomos dobësimit të tregut të banesave dhe rritjes së papunësisë.

Banka Qendrore parashikon që inflacioni i përgjithshëm të arrijë në 4.5% gjatë tremujorit të fundit të vitit, përpara se të ulet gradualisht drejt objektivit prej 2–3% gjatë vitit 2027.

Inflacioni bazë, që përjashton elementet me luhatje më të mëdha të çmimeve, u rrit në 3.7% gjatë tremujorit të tretë, niveli më i lartë në dy vjet. Çmimet e larta të naftës dhe investimet e mëdha në qendrat e të dhënave po mbajnë të fortë presionin mbi çmimet.

Ndërkohë, norma e papunësisë ka arritur në 4.7%, niveli më i lartë në pesë vjet, ndërsa banka parashikon që ajo të kalojë 5% gjatë dy viteve të ardhshme.

Tregu i banesave është ndër sektorët më të prekur nga shtrenjtimi i huamarrjes, me një rënie që mund të jetë më e madhja në katër dekada. Kostot më të larta të kredive po kufizojnë shpenzimet e familjeve dhe aktivitetin e bizneseve.

Me rritjen e fundit, Banka Qendrore e Australisë ka shtuar gjithsej 1.25 pikë përqindjeje në normën bazë gjatë këtij viti, duke përmbysur më shumë se lehtësimin monetar prej 0.75 pikësh të ndërmarrë në vitin 2025.

Ekonomistët e ANZ dhe National Australia Bank presin që normat e interesit të jenë pranë kulmit të tyre, megjithëse paralajmërojnë se një përshpejtim i ri i inflacionit mund ta detyrojë bankën qendrore të ndërhyjë përsëri.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Sulmet kibernetike ndaj frigoriferëve në Europë: Çfarë ka ndodhur dhe sa të mëdha janë dëmet?

Nga Franca në Belgjikë, Suedi dhe vende të tjera europiane, një valë sulmesh kibernetike ka vënë në shënjestër sistemet e ftohjes së supermarketeve...

2 hours më parë 14 Min Lexim

BE dhe Britania drejt heqjes së kontrolleve tregtare, marrëveshje e re pas Brexit

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë arritur një projektmarrëveshje për eliminimin e shumicës së kontrolleve tregtare dhe procedurave burokr...

3 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!