Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë deklarata të forta gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca.
Veliaj deklaroi se transferimi i tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit është bërë me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se këtë ia kishte komunikuar ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
“Dëshiroj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca dhe dua të sqaroj se këtë deklaratë po e bëj me vullnetin tim të lirë dhe pa asnjë presion”, u shpreh Veliaj para gjykatës.
Ai theksoi se të mërkurën ishte larguar nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Durrës pa iu komunikuar arsyeja dhe vendimi për transferimin.
Sipas Veliajt, deri të premten në mbrëmje nuk kishte marrë një shpjegim për këtë veprim, ndërsa më pas ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i kishte komunikuar se transferimi ishte kryer me kërkesë të kryeministrit Edi Rama.
“Ministri më komunikoi se transferimi ka ndodhur me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, siç tha ai, që unë të bëja burg tamam”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku pretendoi gjithashtu se i ishte komunikuar se do t’i kërkohej SPAK-ut të hetonte edhe për veprën penale të prishjes së rendit kushtetues, për shkak të përfshirjes së pretenduar në protestat e flamingove dhe studentëve.
“Dëshiroj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca dhe dua të sqaroj se po e bëj këtë deklaratë me vullnetin tim të lirë dhe pa asnjë presion. E nderuar gjykatë, siç edhe jeni vënë në dijeni nga mediat, të mërkurën jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi, pa asnjë shkak dhe pa më komunikuar asnjë vendim. Më kanë larguar nga familja, avokati dhe Bashkia, institucioni që drejtoj.
Nuk e dija pse ndodhi kjo deri të premten në mbrëmje, kur m’u komunikua nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili ma bëri të qartë se transferimi kishte ndodhur me kërkesë të kryeministrit Edi Rama, siç tha ai, që unë të bëja burg tamam. Ministri më komunikoi se do t’i kërkohej SPAK-ut të më hetonte edhe për prishje të rendit kushtetues, si i përfshirë në protestat e flamingove dhe studentëve. Kërkoj nga ju të kryeni një hetim të plotë dhe kam besim te ju”, tha ai.
Gjykata theksoi se nuk është kompetente për sa i përket transferimit nga një IEVP në tjetrën. Po ashtu, gjykata theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk e ka njoftuar për transferimin e Veliajt nga IEVP Durrës në IEVP Fier, ndonëse ka detyrimin ligjor për ta bërë këtë.
Ndërkohë, sa u përket pretendimeve të tjera, gjykata theksoi se i pandehuri duhet të ndjekë rrugën ligjore.
