Shtetet e Bashkuara njoftuan se përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë do të takohen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi, për një raund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë. Uashingtoni shpreson se armëpushimi i përkohshëm i javës së kaluar do t’i hapë rrugë përparimit në negociata. I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Ëitkoff, tha se SHBA-ja do t’i ndërmjetësojë bisedimet, të cilat do të përqendrohen në masat për garantimin e sigurisë pas përfundimit të luftës, uljen e tensioneve, ndihmën humanitare dhe hapat e ardhshëm drejt paqes. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Uashingtoni pritet të përfaqësohet nga Ëitkoff dhe Jared Kushner, të cilët udhëheqin përpjekjet amerikane për negociata. Presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi që bisedimet të zhvillohen në formatin trepalësh, me pjesëmarrjen e SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, pas një takimi me Ëitkoffin në Shën Petersburg, dy javë më parë. Kjo nismë e re diplomatike vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po përpiqet të arrijë përparim drejt përfundimit të luftës më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.