Nga Fatos Çoçoli
Nga 1 janari 2027, heqja e taksës së qarkullimit mbi karburantet, në masën 32,4 lekë për litër naftë, ose ulja e çmimit të karburantit diesel me 16 përqind(me çmimin e sotëm 202 lekë/litër) do të sjellë një nga lehtësimet më të prekshme për ekonominë tonë.
Në një treg si i yni, me 1.7 miliardë euro xhiro, ku çmimi i naftës ndikon pothuajse në çdo hallkë të prodhimit, transportit, tregtisë dhe shërbimeve, ulja e kostos së karburantit nuk është thjesht një përfitim për drejtuesit e automjeteve. Ajo shndërrohet në një ulje të kostove të përgjithshme të ekonomisë sonë.
Me një çmim aktual prej 202 lekësh për litër, heqja e taksës prej 32,4 lekësh krijon potencialin për një ulje të konsiderueshme të çmimit në pikat e shitjes. Nëse kjo ulje reflektohet e plotë në çmimin final(dhe nuk ka pse të mos pasqyrohet!), nafta do të kushtonte rreth 169,6 lekë për litër, pra afërsisht 16% më pak.
Kjo është një diferencë e rëndësishme për një ekonomi ku transporti rrugor ka peshë mbi 90 përqind dhe ku nafta është një lëndë e parë e domosdoshme, për një numër të konsiderueshëm aktivitetesh ekonomike.
Sa kursejnë qytetarët dhe bizneset gjatë vitit 2027?
Për të kuptuar përfitimin, le të marrim si pikënisje çmimin aktual prej 202 lekësh për litër naftë dhe taksën e qarkullimit prej 32,4 lekësh.
| Tabela 1. Treguesi | Vlera |
| Çmimi aktual i naftës | 202 lekë/litër |
| Taksa e qarkullimit që hiqet | 32,4 lekë/litër |
| Çmimi teorik pas heqjes së taksës | 169,6 lekë/litër |
| Ulja në vlerë absolute | 32,4 lekë/litër |
| Ulja në përqindje ndaj çmimit aktual | 16,04% |
Pra, për çdo litër naftë të blerë, çdonjëri prej nesh do të kursente 32,4 lekë, nëse heqja e taksës përcillet plotësisht në çmimin final. Nëse harxhojmë 100 litra naftë në muaj, i bie rreth 38 mijë lekë të vjetra në muaj.
| Tabela 2. Konsumi i naftës | Kursimi mujor | Kursimi vjetor |
| 50 litra/muaj | 1.620 lekë | 19.440 lekë |
| 100 litra/muaj | 3.240 lekë | 38.880 lekë |
| 150 litra/muaj | 4.860 lekë | 58.320 lekë |
| 200 litra/muaj | 6.480 lekë | 77.760 lekë |
| 500 litra/muaj | 16.200 lekë | 194.400 lekë |
| 1.000 litra/muaj | 32.400 lekë | 388.800 lekë |
| 5.000 litra/muaj | 162.000 lekë | 1.944.000 lekë |
Këto llogaritje tregojnë se përfitimi nuk është i vogël. Një familje që konsumon 100 litra naftë në muaj do të kursente rreth 38.880 lekë në vit. Një kompani transporti që konsumon 5.000 litra në muaj do të kishte një kursim potencial prej afro 1,95 milionë lekësh në vit.
Për bizneset me flota të mëdha automjetesh, si supermarketet, kompanitë e transportit, etj., përfitimi do të jetë edhe më i konsiderueshëm.
Kursimi vjetor për makinën tonë, kur harxhojmë një mesatare prej 100 litrash naftë në muaj, del nga tabela sipër në nivel 388 mijë lekësh të vjetra. Sigurisht që çmimi i naftës ndryshon dhe nuk do të ngelet 202 lekë të reja për litër. Por marrim një mesatare dhe, edhe nëse taksa vjetore na bëhet nga 70 mijë lekë të vjetra që e paguam për këtë vit, në 170 mijë lekë të vjetra në vitin 2027, sërisht përfitimi ynë vjetor është mbi 200 mijë lekë të vjetra. Po në nivel të mbarë ekonomisë së Shqipërisë?
Sa para do të mbeten në ekonominë tonë?
Tregu shqiptar i karburanteve, me një xhiro vjetore të vlerësuar rreth 1,7 miliardë euro, përfaqëson një sektor me ndikim të madh në ekonominë kombëtare. Nëse supozojmë se heqja e taksës do të reflektohet në çmimin e shitjes menjëherë(dhe nuk do të ndodhë ndryshe), kuptojmë përmasat e ndryshimit ekonomik.
Megjithatë, ulja prej 16% e çmimit nuk do të thotë automatikisht se ekonomia shqiptare do të fitojë 16% të xhiros së tregut. Përfitimi kryesor është se e njëjta sasi nafte do të blihet me më pak para. Kjo do të thotë më shumë të ardhura të disponueshme për familjet dhe më shumë likuiditet për bizneset.
Në nivel makroekonomik, këto para do të ridrejtohen drejt konsumit, investimeve, pagesave të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Nuk janë pak, të paktën mbi 120 milionë euro.
A do të ulen çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera?
Kjo është pyetja më e rëndësishme për qytetarët. Nafta është një nga kostot që përshkon pothuajse të gjithë zinxhirin ekonomik. Ajo përdoret për transportin e produkteve bujqësore, furnizimin e supermarketeve, shpërndarjen e mallrave, transportin e materialeve të ndërtimit dhe shumë shërbime të tjera.
Për këtë arsye, ulja e çmimit të naftës me 15–16% krijon mundësi reale për uljen e kostove të prodhimit dhe të shpërndarjes. Por ulja e kostos së naftës nuk përkthehet automatikisht në një ulje të barabartë të çmimit të mallrave. Përqindja e ndikimit varet nga pesha që transporti zë në koston përfundimtare të secilit produkt.
Tabela 3. Shembuj të ndikimit të mundshëm në sektorë të ndryshëm
| Sektori ekonomik | Si ndikon ulja e naftës? | Mundësia për uljen e çmimeve |
| Bujqësia | Ul koston e mekanizimit, punimeve në tokë dhe transportit të prodhimeve | E konsiderueshme |
| Industria ushqimore | Ul kostot e furnizimit me lëndë të para dhe shpërndarjes | Mesatare |
| Supermarketet | Ul kostot e transportit dhe furnizimit | Mesatare |
| Ndërtimi | Ul kostot e transportit të çimentos, hekurit, inerteve dhe makinerive | E konsiderueshme |
| Transporti i udhëtarëve | Ul shpenzimet e autobusëve, furgonëve dhe mjeteve të tjera | E drejtpërdrejtë |
| Logjistika dhe shpërndarja | Ul kostot e transportit dhe të dërgesave | E konsiderueshme |
| Turizmi | Ul kostot e transportit të turistëve dhe furnizimit të strukturave turistike | Mesatare |
| Shërbimet e mirëmbajtjes | Ul shpenzimet e lëvizjes së automjeteve të punës | E drejtpërdrejtë |
Kjo do të thotë se sektorët që konsumojnë më shumë naftë në raport me vlerën e produkteve dhe shërbimeve të tyre, kanë mundësi të përfitojnë më shumë.
Cilët sektorë do të përfitojnë më shumë?
E para është bujqësia. Fermerët përdorin naftën për traktorët, makineritë bujqësore, vaditjen me pajisje të motorizuara dhe transportin e prodhimeve. Një ulje prej 32,4 lekësh për litër mund të ulë ndjeshëm kostot operative, veçanërisht për fermat me sipërfaqe të mëdha.
Nëse ky kursim shoqërohet me konkurrencë në tregjet e grumbullimit dhe shitjes, mund të krijojë kushte për produkte bujqësore më të lira për konsumatorët tanë.
I dyti vjen ndërtimi. Transporti i çimentos, hekurit, inerteve, betonit dhe materialeve të tjera kërkon shpenzime të konsiderueshme karburanti. Po kështu, përdorimi i ekskavatorëve, fadromave dhe makinerive të rënda lidhet drejtpërdrejt me konsumin e naftës.
Ulja e kostos së karburantit do të lehtësojë shpenzimet e kompanive të ndërtimit dhe të krijojë mundësi për çmime më konkurruese në treg për apartamentet e banimit.
I treti është transporti publik. Kompanitë që operojnë me autobusë dhe furgonë do të kenë kursime të drejtpërdrejta në karburant. Këto kursime mund të përdoren për të përmirësuar shërbimin, për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes ose për të ulur tarifat e transportit.
I katërti sektor është shpërndarja dhe tregtia. Kompanitë që furnizojnë supermarketet, dyqanet, restorantet dhe bizneset e tjera mund të përfitojnë nga ulja e shpenzimeve të flotës së transportit.
Nëse konkurrenca do të funksionojë tek ne, një pjesë e kursimeve duhet të reflektohet në çmimet e shërbimeve të shpërndarjes dhe, në mënyrë të tërthortë, në çmimet e produkteve.










