“Gogu i shkoi Veliajt në burgun e Fierit në orën 10:30 të natës”, avokati Ndreca: Kam komunikuar me Ramën

Takimi mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit, ku Veliaj është transferuar së fundmi, ka qenë një nga temat e diskutuara gjatë ditëve të fundit.
Në një letër të bërë publike, Veliaj ka pretenduar se ndaj tij është ushtruar presion për të pranuar se po nxit protestat, si dhe për të deleguar pushtetin e tij.
Ndërkohë, seanca gjyqësore e parashikuar për ditën e sotme ndaj kryebashkiakut është shtyrë për datën 17 nëntor. Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, por qëndrimin e tij ia ka përcjellë gjykatës përmes një letre, të dorëzuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Pas seancës, Ndreca ka dhënë edhe një deklaratë për mediat, ku është ndalur te takimi mes Veliajt dhe ministrit Gogu, si dhe te komunikimet me klientin e tij.
“Siç ju e konstatuat, rezultoi në momentin që ka marrë vendim për të transferuar Veliajn, nuk e ka njoftuar Gjykatën, në shkelje të detyrimit të saj. Gjykata tha se ky material që ka çuar Veliaj do i referohet institucioneve përkatëse. Ne si grup ligjor i Veliajt do e vlerësojmë nëse ka vepër penale. Unë do tentoj ta takoj sot, nëse jo, do të ngelet për nesër.
Veliaj më ka informuar dhe më ka dhënë edhe shënimet që ka mbajtur gjatë takimit me Gogun. Është edhe një grup avokatësh të huaj që po merren me këtë çështje. Sa i përket pjesës së dytë, s’ka asnjë kërkesë të Veliajt për të takuar ministrin e Drejtësisë.
Ministri nuk mund të shkojë në këtë orar, në orën 10:30 të darkës. Ministri i Drejtësisë ka të drejtë të inspektojë kushtet e institucionit, por s’mund të takohë kokë më kokë një të pandehur që është nën gjykim nga gjykata, në zyrën e drejtorit të burgut. ”, , tha Ndreca.
I pyetur për raportin mes Veliajt dhe Partisë Socialiste, avokati u shpreh se në rast se interesat e PS-së përplasen me ato të kryebashkiakut, ai do të qëndrojë në krah të klientit të tij.
“Siç ia kam thënë edhe kryeministrit, nëse përplasen interesat e mia si një prej drejtuesve politikë të qarkut të Tiranës me interesat ligjore të Veliajt, unë do të zgjedh të mbroj interesat ligjore të Veliajt. Do të rreshtohem në mbrojtje të interesave të tij ligjore. Kjo mund të më kushtojë politikisht, por mendoj se është më e drejtë të mbrohen të drejtat e njeriut.
Këtë ia kam thënë kryeministrit, edhe nëse ka pasur përplasje. Kemi pasur një komunikim për këtë çështje, për Veliajn, mes meje dhe kryeministrit. Në momentin e duhur do të bëj me dije edhe detajet”, deklaroi Ndreca.




