Një 31-vjeçare është arrestuar në Sarandë, pasi dyshohet se ka vjedhur automjetin e një qytetari nga parkingu i një hoteli në lagjen nr. 1 të qytetit.
Ngjarja u denoncua nga pronari i automjetit, i cili njoftoi policinë për zhdukjen e makinës që kishte parkuar në ambientet e hotelit.
Pas marrjes së kallëzimit, policia nisi hetimet dhe arriti të identifikojë dhe lokalizojë të dyshuarën, E. S., 31 vjeçe.
Ajo u kap rreth 30 minuta pas vjedhjes, në afërsi të tunelit të Skërficës, teksa drejtonte automjetin e marrë.
Sipas policisë, 31-vjeçarja, banuese në Sarandë, dyshohet se kishte hequr targat e makinës dhe i kishte hedhur në një kazan mbeturinash në dalje të qytetit, në përpjekje për të fshehur gjurmët.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ajo u arrestua në flagrancë për veprën penale të vjedhjes.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.













