• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, November 3, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Analiza e REL: Vuçiç dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambiciet!

by A. Q
03/11/2026 12:19
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Deri vonë pothuajse të pamposhtur në pushtet, sot të mundur politikisht, Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban u shfaqën së bashku në rrjetet sociale me një mesazh: “Do të rikthehemi”.

Ish-presidenti i Serbisë dhe ish-kryeministri i Hungarisë e humbën pushtetin në zgjedhjet e këtij viti – Vuçiq pas 14 vjetësh, ndërsa Orban pas 16 vjetësh.

Këta dy politikanë populistë, që kanë bashkëpunuar ngushtë ndër vite, kanë shumë të përbashkëta.

Humbjeve të tyre zgjedhore u paraprinë akuzat e kundërshtarëve politikë për korrupsion të përhapur, keqpërdorim të pushtetit, pasurim të paligjshëm dhe vënie të institucioneve shtetërore nën kontroll politik.

Megjithatë, siç vlerëson për Radion Evropa e Lirë Millan Niç, hulumtues i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, dallimi i parë mes tyre vërehet në mënyrën se si reaguan pas humbjes në zgjedhje.

“Viktor Orban, praktikisht, u zhduk nga skena publike për një javë. Ai udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për një kampionat futbolli. Kjo kishte pasoja të rënda për moralin e partisë së tij, Fidesz. Partia dukej e demotivuar dhe nuk ishte e qartë se kush po e drejtonte në të vërtetë”, thotë Niç.

Sipas tij, mbështetja publike për Fideszin ra ndjeshëm pas zgjedhjeve, me rreth 10 deri në 15 për qind.

Niç thotë se Vuçiq arriti ta shmangte këtë gabim.

“Nëse e ndiqni komunikimin e tij publik, do të shihni se ai u drejtohet kryesisht votuesve të vet, strukturave partiake dhe rrjeteve të ndryshme joformale të lidhura me sistemin e tij politik”, thotë ai.

Edhe pse pushteti mbetet formalisht në duart e Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit deri në formimin e Qeverisë dhe Parlamentit të ri, ditët pas zgjedhjeve u karakterizuan nga shtimi i aktiviteteve të prokurorive, arrestime të zyrtarëve të lartë të policisë dhe hetime mbi punën e institucioneve shtetërore.

Një javë pas zgjedhjeve në Serbi, Orban e vizitoi Vuçiqin në shtëpinë e prindërve të tij, në periferi të Beogradit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ata thanë se “miqtë e vërtetë bëhen edhe më të afërt në kohë të vështira”.

Sa u përket përfitimeve që mund t’i kenë dy liderët populistë nga bashkëpunimi politik, tani kur janë në opozitë, Niç thotë se ngjashmëritë mes sistemeve të tyre politike i shtyjnë ta vazhdojnë atë bashkëpunim.

“Kjo është në interesin e të dyve, sepse kanë edhe marrëdhënie të ngushta personale. Mendoj se vazhdimi i bashkëpunimit të tyre nuk duhet ta befasojë askënd”, thotë ai.

“Por, duhet pasur parasysh se ata kanë mësuar nga njëri-tjetri shumë kohë përpara këtyre zhvillimeve politike. Kanë shkëmbyer përvoja, përfshirë edhe strategjitë zgjedhore, por kjo nuk i ka ndaluar të pësojnë humbje politike”, thotë Niç.

Politikat populiste, mbështetja e ndërsjellë dhe lidhjet e ngushta që Orban dhe Vuçiq i theksojnë vazhdimisht në publik.

Po ashtu, të dy janë përballur me kritika të ashpra nga Brukseli për cenimin e demokracisë në vendet e tyre.

Jozef Makai, gazetar i gazetës Atlatszo dhe ligjërues në Universitetin Kodolanyi në Sekeshfehervar, thotë se bëhej fjalë për regjime hibride, ku ekzistonte një “fasadë e demokracisë”, ndërsa shteti dhe mediat ishin vënë nën kontroll politik.

“Të dyja sistemet mbështeteshin te një lider i fortë, nacionalist, që pretendonte se mbronte interesat e shtetit dhe të kombit”, thotë ai, duke theksuar se, pavarësisht ngjashmërive, këto dy regjime nuk ishin identike.

Një tjetër e përbashkët e tyre është miqësia dhe bashkëpunimi me presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin kinez, Xi Jinping, si dhe me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Dy ish-liderët i lidhin edhe projektet e përbashkëta mes dy shteteve, të cilat u shoqëruan me akuza për mungesë transparence, korrupsion dhe marrëveshje të arritura përmes lidhjeve personale.

Një prej tyre ishte modernizimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd, i realizuar nga një kompani kineze në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me qeveritë e të dyja vendeve.

Qeveritë e reja në Serbi dhe Hungari kanë paralajmëruar se do t’i rishikojnë kontratat dhe marrëveshjet e arritura nga paraardhësit e tyre.

Në muajt pasi Peter Magyar dhe partia e tij, Tisza, morën pushtetin, nisi procesi i përcaktimit të përgjegjësisë së ish-zyrtarëve shtetërorë.

Me vendim të Parlamentit hungarez, u themelua Zyra Kombëtare për Rikthimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë.

Kjo zyrë ka kompetencën dhe detyrën të hetojë keqpërdorimet dhe menaxhimin jotransparent të fondeve publike, si dhe të rikthejë në pronësi të shtetit pasurinë që është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

Në tetor u arrestua ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Orbanit.

Ai u arrestua nën dyshimet për mashtrime financiare dhe keqpërdorim të fondeve publike.

“Kjo ishte e paimagjinueshme. Nëse dikush do të më thoshte se, para zgjedhjeve, kishte menduar që Matolcsy do t’i kalonte Krishtlindjet e këtij viti në paraburgim, do ta kisha të vështirë ta besoja”, thotë Makai.

Sipas tij, është joreale të pritet që të gjithë ata që “e kanë plaçkitur shtetin për 16 vjet”, të përfundojnë në burg brenda natës.

“Nuk mund të hapësh një rast dhe të thuash se po e gjykojmë Orbanin, sepse ishte kryeministër për 16 vjet dhe krijoi sistemin që krijoi. Kjo nuk është drejtësi revolucionare, por shtet ligjor që bën punën e vet. Secili duhet të gjykohet në një rast të veçantë dhe kjo kërkon kohë”, thotë ai.

Hungaria është bërë, gjithashtu, pjesë e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), duke hapur rrugën për hetimin e pretendimeve për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian gjatë qeverisjes së Orbanit.

Makai kujton “aferën e konvojit të arit” të marsit të këtij viti, kur njësia kundër terrorizmit (TEK), në prag të zgjedhjeve parlamentare, ndaloi automjetet e blinduara të bankës shtetërore të kursimeve të Ukrainës, të cilat po transportonin para dhe ar nga Austria drejt Ukrainës, sipas procedurave të zakonshme.

Zyrtarët ukrainas u ndaluan dhe rasti u bë një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore të Orbanit, gjatë së cilës ai e akuzonte Ukrainën për ndërhyrje në zgjedhje.

Hetimet e zhvilluara pas ndryshimit të pushtetit konstatuan se veprimet e autoriteteve hungareze, kishin qenë të pabazuara.

Më pas nisi një hetim për të verifikuar dyshimet se ish-kryeministri hungarez kishte urdhëruar personalisht sekuestrimin e ngarkesës.

“Po shohim se ky ishte një operacion në shërbim të zgjedhjeve dhe fushatës elektorale. Ky është një rast ku hetimet i janë afruar mjaft Orbanit dhe mendoj se mund ta vënë në një pozitë shumë të vështirë”, thotë Makai.

Ai shton se është “e vështirë të thuhet” nëse Orban sot ndihet i qetë në vendin e tij, duke pasur parasysh hetimet që po zhvillohen për keqpërdorimin e fondeve publike.

“Por, ajo që shohim është se vajza dhe dhëndri i tij janë zhvendosur në Londër. Ata kanë filluar gjithashtu të shesin një pjesë të perandorisë së tyre të biznesit”, thotë Makai.

“Mendoj se po përpiqen të tërhiqen dhe kjo mund të jetë një shenjë se duan të jenë diku tjetër, ku ndoshta ndihen pak më të sigurt”, sipas tij.

Në ditët e para pas humbjes zgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe, nisën hetimet për punën e deritanishme të institucioneve publike.

Po ashtu, u ndalua Davor Macura, pronar i Alta Bankës, me seli në Beograd.

Macura, i afërt me Partinë Përparimtare Serbe, është një nga katër biznesmenët serbë për të cilët kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve, përmes një letre drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Dy ditë para arrestimit të tij, Banka Qendrore e Serbisë ia hoqi Alta Bankës licencën e operimit.

Autoritetet konstatuan se gjendja financiare e Alta Bankës ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe se mund të përkeqësohej edhe më tej.

Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë nisi të hetojë dyshimet për transferimin e parave të bankës jashtë vendit.

Vetë Vuçiq deklaroi se nuk i frikësohet arrestimit, pasi, sipas tij, nuk ka nënshkruar dokumente apo marrë vendime që lidhen me paratë.

“Unë nuk nënshkruaj asgjë dhe nuk merrem fare me çështje që kanë të bëjnë me paratë. Prandaj, nuk mund të gjendet asgjë kundër meje në këtë drejtim”, tha Vuçiq më 1 nëntor për televizionin Pink, i cili prej vitesh mbështet Partinë Përparimtare Serbe.

Sipas Niçit, përshtatja me rrethanat e reja politike ka qenë më e vështirë për Orbanin sesa për Vuçiqin.

“Vuçiq ka më shumë mundësi ta ruajë ndikimin e tij politik, sepse ende nuk e ka lëshuar plotësisht pushtetin”, thotë ai.

“Ajo që ndodhi në Hungari brenda një muaji apo një muaji e gjysmë pas zgjedhjeve, ndoshta do të ishte skenari më i mirë i mundshëm për Serbinë dhe Listën Studentore. Në Hungari, Fidesz ia dorëzoi vërtet Qeverisë së re ministritë dhe administratën shtetërore. Pra, kishte një dorëzim të plotë të pushtetit”, shton Niç.

Si regjimi i Vuçiqit, ashtu edhe ai i Orbanit, u karakterizuan nga “dobësimi dhe pothuajse zhdukja e opozitës tradicionale”, thotë Makai.

“Më pas, në Serbi u shfaqën studentët, ndërsa në Hungari Peter Magyar. Ata arritën ta tronditnin sistemin, duke i vënë papritur pushtetet e atëhershme përballë një sfide të re, së cilës nuk dinin si t’i përgjigjeshin”, thotë Makai.

Megjithatë, kundërshtarët politikë që i mundën në zgjedhje, dallojnë nga njëri-tjetri.

Orbanin dhe partinë e tij, Fidesz, i mundi një ish-bashkëpartiak i tij.

Dy vjet para zgjedhjeve, Magyar u distancua nga partia në pushtet, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe përhapje të propagandës.

Në zgjedhje, ai udhëhoqi partinë proevropiane të qendrës së djathtë, Tisza, e cila shënoi fitore bindëse.

Në anën tjetër, regjimin e Vuçiqit e mundi një lëvizje studentore, pa një udhëheqës të qartë dhe pa përvojë të mëparshme politike.

Studentët i përzgjodhën kandidatët e tyre në mbledhje të hapura studentore, nga radhët e profesorëve universitarë, mësimdhënësve, juristëve, fermerëve, artistëve dhe sportistëve.

Protestat u nxitën nga vdekja e 16 personave, pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, vetëm katër muaj pasi stacioni ishte përuruar për herë të dytë pas rinovimit.

Në të dyja ceremonitë e përurimit morën pjesë zyrtarë shtetërorë, ndërsa në të parën ishin të pranishëm edhe Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban. /REL/

 

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Analiza e REL: Vuçiç dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambiciet!

Analiza e REL: Vuçiç dhe Orban humbën pushtetin, por jo ambiciet!

November 3, 2026
Balla takohet me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Neculăescu: Mirënjohje për mbështetjen në rrugën tonë drejt BE-së!

Balla takohet me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Neculăescu: Mirënjohje për mbështetjen në rrugën tonë drejt BE-së!

November 3, 2026
Lavrov: Thirrjet e BE-së për armëpushim në Ukrainë synojnë t’i japin Kievit kohë për t’u riarmatosur

Lavrov: Thirrjet e BE-së për armëpushim në Ukrainë synojnë t’i japin Kievit kohë për t’u riarmatosur

November 3, 2026
“Shqetësimet e PD nuk qëndrojnë”- Celibashi për zgjedhjet vendore: Votim elektronik në sa më shumë bashki! Partitë të bëjnë konsensus

“Shqetësimet e PD nuk qëndrojnë”- Celibashi për zgjedhjet vendore: Votim elektronik në sa më shumë bashki! Partitë të bëjnë konsensus

November 3, 2026
VIDEO/ Tragjedi në futbollin spanjoll, lojtari vdes pas ndërhyrjes horror në fushë nga portieri kundërshtar! Pamjet e momentit fatal

VIDEO/ Tragjedi në futbollin spanjoll, lojtari vdes pas ndërhyrjes horror në fushë nga portieri kundërshtar! Pamjet e momentit fatal

November 3, 2026
KE publikon sot raportet e progresit: Vendet që udhëheqin procesin e anëtarësimit dhe ato që mbeten prapa

KE publikon sot raportet e progresit: Vendet që udhëheqin procesin e anëtarësimit dhe ato që mbeten prapa

November 3, 2026
Shtyhet për në 17 nëntor gjyqi për Veliajn, gjykata: Nuk jemi kompetentë për transferimin! Avokati: Kërkojmë vendimin e Drejtorisë së Burgjeve për…

Shtyhet për në 17 nëntor gjyqi për Veliajn, gjykata: Nuk jemi kompetentë për transferimin! Avokati: Kërkojmë vendimin e Drejtorisë së Burgjeve për…

November 3, 2026

Ç’fitojmë me uljen 16 përqind të karburantit nga 1 janari 2027?

November 3, 2026
KQZ ultimatum partive politike: Keni 24 orë afat për heqjen e posterave!

Zgjedhjet e 9 Majit, Celibashi: Do marrim masat që të plotësohen rekomandimet e OSBE-së

November 3, 2026
Grabisnin shtëpitë e futbollistëve në Barcelonë, arrestohen tre hajdutët e dyshuar, kamerat i tradhtuan!

Grabitje në një pikë karburanti në Klos, dy persona të maskuar marrin paratë nga kasaforta

November 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In