Nga magjia e Krishtlindjeve te peizazhet me dëborë: destinacionet më të mira europiane këtë dimër

Europa ofron destinacione të larmishme për pushimet dimërore, nga qytetet historike dhe tregjet festive të Krishtlindjeve, te malet e mbuluara me dëborë, banjat termale dhe bregdeti me diell.
Sipas Euronews, këto janë 10 destinacionet që ia vlen të vizitohen gjatë dimrit.
Zermatt, Zvicër – Për ski dhe peizazhe malore

Zermatt u rendit i pari në klasifikimin e Trip.com për 50 resortet më të mira të skive në Europë për vitin 2026. Zona ofron deri në 360 kilometra pista skish, ndërsa teleferikët arrijnë në lartësinë 3,883 metra, në Klein Matterhorn. Skiatorët mund ta praktikojnë sportin gjatë gjithë vitit.
Një tjetër përvojë është udhëtimi me trenin panoramik Glacier Express, nga St. Moritz në Zermatt, që zgjat rreth tetë orë mes Alpeve zvicerane.
Seefeld, Austri – Për ecje dimërore
Rreth 25 kilometra nga Innsbruck, rajoni i Seefeld ofron 142 kilometra shtigje të mirëmbajtura për ecje dimërore, mes pyjeve, luginave dhe maleve.
Atraksion i veçantë është shtegu i ndriçuar “100,000 Lights Path”, ndërsa aventurierët mund të zgjedhin një itinerar pesëditor prej 65 kilometrash që lidh pesë fshatra.
Strasburg, Francë – Për magjinë e Krishtlindjeve

I njohur si “Kryeqyteti i Krishtlindjeve”, Strasburgu organizon tregje festive që prej vitit 1570. Qindra stenda zbukurojnë rrugët dhe sheshet e qendrës historike, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
Pema gjigante e Krishtlindjeve në Place Kléber, ndërtesat tradicionale dhe specialitetet alsasiane krijojnë një atmosferë të veçantë festive.
Andaluzia, Spanjë – Për diellin dimëror
Me rreth 300 ditë me diell në vit, Andaluzia është një alternativë për ata që kërkojnë temperatura më të buta.
Dimri është periudhë e përshtatshme për të vizituar Alhambrën në Granada apo monumentet historike të Seviljes, pa turmat e verës. Ndërkohë, malet Sierra Nevada ofrojnë mundësi për sporte dimërore.
Abisko, Suedi – Për Dritat Veriore
Në Laplandën suedeze, Abisko konsiderohet ndër vendet më të mira në botë për të vëzhguar Dritat Veriore.
Parku Kombëtar Abisko dhe qendra panoramike Aurora Sky Station ofrojnë kushte të favorshme për këtë fenomen. Vizitorët mund të provojnë edhe udhëtimet me slita të tërhequra nga qentë apo motorët e dëborës.
Madeira, Portugali – Për natyrën dhe ujëvarat

Me klimë të butë dhe peizazhe të gjelbra, Madeira ofron një alternativë ndaj dimrit tradicional europian.
Pylli Laurissilva, pjesë e UNESCO-s, dhe shtigjet përgjatë kanaleve tradicionale të ujit të çojnë drejt ujëvarave dhe peizazheve spektakolare. Për disa itinerare kërkohet rezervim paraprak dhe pagesë hyrjeje.
Bruges, Belgjikë – Për çokollatën dhe kanalet
Qyteti mesjetar belg bëhet veçanërisht romantik gjatë dimrit, me tregjet e Krishtlindjeve, kanalet dhe ndërtesat historike.
Bruges është gjithashtu destinacion për adhuruesit e çokollatës belge. Vizitorët mund të eksplorojnë dyqanet artizanale dhe Bazilikën e Gjakut të Shenjtë.
Budapest, Hungari – Për banjat termale
Budapesti ndërthur tregjet festive, arkitekturën historike dhe banjat e famshme termale.
Kompleksi Széchenyi është ndër atraksionet kryesore gjatë dimrit, ndërsa sheshi Vörösmarty ofron ushqime tradicionale hungareze. Një tjetër përvojë është patinazhi në pistën historike të parkut Városliget.
Vjenë, Austri – Për muzikën klasike
Kryeqyteti austriak është destinacion ideal për dashamirësit e muzikës klasike.
Muzetë kushtuar Mozartit, Beethovenit dhe Schubertit, sallat historike të koncerteve dhe Opera Shtetërore janë ndër atraksionet kryesore.
Dimri përkon gjithashtu me sezonin e ballove tradicionale vjeneze, duke e kthyer qytetin në një destinacion të veçantë kulturor. / Euronews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









