“Historitë e çmendura të Tiranës”, Ben Blushi sjell 400 vite histori të Tiranës në romanin e ri
Tirana, qyteti që sot njeh ritmin e pandalshëm të jetës urbane, mbart në historinë e saj rrëfime që shpesh duken të pabesueshme. Intriga politike, pushtime, rivalitete mes familjeve të mëdha dhe fate njerëzore që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e kryeqytetit. Pikërisht këto histori vijnë në vëmendje përmes librit më të ri të shkrimtarit Ben Blushi.
“Historitë që kam treguar janë të çmendura, në kuptimin që nuk janë të zakonshme. Tirana është një qytet i ndërtuar mbi shumë histori të çmendura. Këtë kam dashur të them pak a shumë dhe shpresoj që njerëzit ta lexojnë. Kjo vërteton edhe atë që them unë, se Tirana ka shumë histori të jashtëzakonshme. Edhe ajo që po ndodh sot në Tiranë është një histori e çmendur”
“Historitë e Çmendura të Tiranës”, është një vepër që e sheh historinë përmes njerëzve jo thjesht ngjarjeve.
“E kam thënë edhe me shaka: personazhet që kam përzgjedhur për t’i përfshirë në libër duhej të plotësonin dy kritere. Ose të ishin të çmendur, ose të ishin të vdekur, ose të dyja bashkë. Në të gjitha rastet, personazhet nuk jetojnë më. Për fat të keq, nuk kam përmendur me emër persona që i kam miq dhe që janë ende aktivë mes nesh, sepse kjo mund të krijojë keqkuptime.”
Në galerinë prej 38 kapitujsh Blushi përfshin themelues, pashallarë, bejlerë, politikanë, artistë e personalitete të huaja, të lidhur në një rrëfim ku faktet historike ndërthuren me imagjinatën letrare.
Nga Sulejman Pashë Bargjini, figura që lidhet me themelimin e qytetit, te Haxhi Et’hem Beu, Ahmet Zogu, familja Toptani dhe Enver Hoxha, libri ndalet te personazhe që kanë ndikuar në fatet e Tiranës në periudha të ndryshme. Në këtë panoramë historike përfshihen edhe figura të huaja, si Edëard Lear, Benito Musolini e Viktor Emanueli III, duke sjellë një këndvështrim më të gjerë mbi zhvillimet që kanë formësuar kryeqytetin.
“Është një përzgjedhje krejtësisht subjektive, por që ka edhe një fill racional. Cili është ky fill? Janë ngjarjet, historitë dhe objektet e këtij qyteti. Personazhet janë përzgjedhur në funksion të historive që tregojnë për Tiranën dhe mënyrës se si ato lidhen me identitetin e qytetit.”
I konceptuar si një homazh për qytetin ku ka lindur, romani nuk ndalet vetëm te e shkuara, por sjell në vëmendje edhe identitetin e Tiranës së sotme.“Historitë e Çmendura të Tiranës” vjen kështu si një ftesë për ta parë kryeqytetin përtej imazhit të përditshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




