Në përfundim të vizitës zyrtare në Republikën Çeke, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u prit në Pragë nga kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babiš.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Çekisë, intensifikimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në ekonomi, tregti, investime dhe turizëm.
Peleshi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Ai theksoi rëndësinë e angazhimit të Çekisë në mbështetje të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, si dhe të kontributit të saj me ekspertizë dhe përvojë në procesin e negociatave.
Nga ana e tij, kryeministri Babiš shprehu mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimin e Shqipërisë, si një vend kandidat që ecën drejt familjes europiane me vizion, vendosmëri dhe rezultate.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe potencialit për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, nxitjes së investimeve dhe bashkëpunimit mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve. Në këtë kuadër, u vlerësua rëndësia e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik, mbledhja e ardhshme e të cilit pritet të zhvillohet në Pragë, më 24 mars 2027.
Kryetari Peleshi dhe kryeministri Babiš diskutuan edhe për partneritetin mes dy vendeve si anëtare të NATO-s, për mbrojtjen e sigurisë dhe të paqes.
Takimi përmbylli axhendën e vizitës zyrtare të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, në Republikën Çeke, gjatë së cilës u zhvilluan takime të nivelit të lartë me drejtuesit e institucioneve kryesore të vendit, me synim forcimin e partneritetit politik dhe institucional mes dy vendeve.


